
Zbulohet një nga kompanitë e Call Center që ka mashtruar shtetasit gjermanë përmes platformës FOREX. Mësohet se një prej tyre është 'Blue energy call' me seli tek 5 maji që është përfshirë në mashtrimin e 2 mijë gjermanëve duke iu marrë 5 milionë euro. Sipas raportimeve, kjo kompani është regjistruar në 3 prill në 2017 dhe pronar rezulton Redian Kuka.
Kujtojmë se 20 punonjës të Call Center në Tiranë e Durrës janë arrestuar deri tani nga SPAK pasi akuzohen për mashtrim. Mes të arrestuarve raportohet se ka biznesmenë, administratorë dhe punonjës.
Arrestimet janë kryer me kërkesë të autoriteteve gjermane. Mësohet se të prangosurit akuzohen se përmes Forex mashtruan 2 mijë gjermanë duke u vjedhur 5 milionë euro. Një ditë më parë edhe policia e Tiranës nisi hetimin penal ndaj 9 administratorëve të Call Center në Tiranë nën akuzën e mashtrimit të shtetasve të huaj, kryesisht nga vendet e BE-së, që të investonin në bursë.

