Çfarë dëshmoi vajza që shoqëroi Ervis Martinajn në Durrës?

26 August 2022, 15:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Çfarë dëshmoi vajza që shoqëroi Ervis Martinajn
Ervis Martinaj

Gazetarja Klodiana Lala ka treguar për Euronews Albania dëshminë e vajzës që shoqëronte Ervis Martinajn në Durrës, natën e 5 gushtit.

Gazetarja u shpreh se e reja që është figurë publike, ka deklaruar para autoriteteve se kontaktin fizik me Martinajn e ka pasur me 5 gusht, ndërsa ka shkëputur çdo kontakt me 40-vjeçarin me 7 gusht.

“Herën e fundit që u takuam ishte mbrëmja e 5 gushtit. Një i njohur i tij na shoqëroi për në një hotel në Durrës. Qëndruam aty atë natë dhe të nesërmen na mori. Unë ika për në shtëpi. Dy ditët në vazhdim kam komunikuar me të, por më pas u shkëputën kontaktet”, shpjegon vajza.

Sipas gazetares, vajza e cila është figurë publike, kishte lidhje intime me të shumëkërkuarin.

Ndërkohë Lala ka treguar dhe deklaratën e babait të Martinajt.

“Babai i tij Mustafa Martinaj, thotë se kontaktin e fundit me djalin, nuk e tregon nëse e ka pasur në mënyrë direkte apo me persona të tjera, e ka pasur në datën 9 gusht në orën 17:30 minuta. Ai pretendon se nga ora 17:30 minuta deri në orën 22 të asaj mbrëmje Martinaj mund të jetë marrë peng dhe mund të jetë zhdukur”, tha Lala.

“Ervis Martinaj u bë bos i krimit se kishte mbështetje të forta shtetërore”

Gazetarja Klodiana Lala u shpreh më tej se Ervis Martinaj u bë një bos i krimit sepse kishte mbështetje të forta shtetërore.

Ajo tha se jo pa qëllim zgjodhi si shoqërues të kishte Jeton Lamin, pasi ky i fundit i plotësonte të gjitha kriteret që ai donte, duke qenë se ishte dhe agjent i Forcave Operacionale.

“Ervis Martinaj u bë një bos i krimit përderisa kishte mbështetje të forta shtetërore. Ai nuk e zgjodhi rastësisht Jeton Lamin. E zgjodhi disa kritere që ta shoqëronte ai. Së pari sepse ishte i skuadrës së Posaçme Operacionale që kanë databasën e personave të kërkuar, dhe normalisht ka informacion për lëvizjet e personave të kërkuar. Në momentin që Martinaj i duhet të lëvizte, i duhej të kishte rrugën e lirë dhe këtë e merrte përmes Lamit. E treta i duhej një person i besueshëm që të mos e shiste te kundërshtarët”, tha Lala.

Ervis Martinaj dyshohet se javët e fundit ishte strehuar në qytetin e Durrësit, ndërkohë që familjarët e tij e denoncuan në polici se kishin humbur çdo lloj kontakti me të.

Deri më 13 gusht, Martinaj është strehuar në këtë qytet dhe më pas dyshohet punonjësi i polici Jeton Lami e ka transportuar atë drejt qytetit të Tiranës.

Martinaj zgjodhi Lami për ta transportuar në këmbim të ryshfetit, pasi ky i fundit ka pasur informacion se ku ndodheshin postblloqet e Policisë. Në këtë mënyrë Martinaj mund të lëvizte pa problem dhe pa u pikasur nga punonjësi i policisë.


Video