Një tjetër fitore, një tjetër paraqitje e shkëlqyer e ekipit. Interi iu përgjigj me një shfaqje force paralajmërimeve të Juventusit në një kohë të shpejtë. Një tjetër përplasje e drejtpërdrejtë, ajo e "Maradona", tregoi se zikaltrit luajnë me vetëdijen e epërsisë dhe qetësinë e atyre që e dinë se mund të fitojnë në çdo fushë.
Sipas disa ish-trajnerëve (për shembull Fabio Capello), titulli fitohet kur ke mbrojtjen me më pak gola të pësuar. Interi e ka një të tillë. Sipas të tjerëve (shih Arrigo Sacchi), ti triumfon kur shënon më shumë se të tjerët. Edhe këtë rekord e ka Interi.
Mes të ashtuquajturve “titullarë” dhe “rezerva” ka pika kontakti, që Interi aktual i mishëron në një mënyrë thuajse befasuese. Nëse është e vërtetë që në natën e ëmbël të "Maradona" pati një farë vuajtjeje fillestare (traversa fillestare nga Politano dhe pritje të ndryshme nga Sommer), është po aq e vërtetë që nga goli i Calhanoglu e përtej, zikaltrit u bënë padronë të ndeshjes. Me pjesëmarrje totale të ekipit.
Simone Inzaghi, i cili pikërisht një vit më parë u vu në pikëpyetje, siç iu ndodh pashmangshëm të gjithë trajnerëve që nuk garantojnë vazhdimësi të performancës për ekipin e tyre, sot ka arritur të ndërtojë një "makinë perfekte".
Pa asnjë mundësi mohimi, Interi i sotëm është më i mirë që nga tripleta historike, ndoshta edhe pak më i rafinuar nga pikëpamja e lojës dhe kombinimeve ekipore, edhe pse më pak i pasur për nga individualiteti. Një Inter që, duke përjashtuar çdo ngjarje të bujshme të paparashikuar, është kandidati kryesor i Serie A për ta fituar titullin dhe yllin e dytë të shumëpritur.
Futbolli përbëhet nga emocione dhe jo numra, por kjo "spërkatje e aritmetikës" mund të ndihmojë dhe të prezantojë tema më me peshë dhe vendimtare: 6 fitore në 7 ndeshje sezonale jashtë fushe në Itali me vetëm 2 gola kundër, 9 ndeshje në total pa pësuar gol, 10 gola të realizuar nga mesfushorët.
E gjitha kjo për të thënë se puna e Inzaghit ka korigjuar defektet e theksuara në shumë raste sezonin e kaluar, defekte të cilat kanë kufizuar, të paktën në kampionat, mundësitë për t’iu kundërvënë Napolit të Spallettit.
Le të fillojmë me përplasjet direkte, duke qenë se ajo e Napolit ishte sprova më bindëse. Kufizimi serioz i skuadrës së Inzaghit në gjysmën e parë të sezonit të kaluar, tashmë është kthyer në pikë të fortë. Në këtë pjesë të parë të kampionatit, fitoret erdhën ndaj Milanit, Romës dhe Napolit, plus barazimi si mysafir ndaj Juventusit.
Në fazën e dytë Interi do të duhet të përballet në shtëpi me Napolin dhe Juventusin. Një avantazh jo i vogël. Metamorfoza tjetër e madhe ka të bëjë me marrëdhëniet mes ndeshjeve të kampionatit dhe Champions League.
Një vit më parë, Interi shpërdoroi shumë pikë në ndeshjet që i paraprinë apo pasuan një ndeshje europiane. Këtë sezon, falë edhe një kalendari më pak të ngjeshur dhe një grupi më të thjeshtë (vitin e kaluar ishin Barcelona dhe Bayern Munich), faktori "Champions" ishte pothuajse pa dhimbje për zikaltrit.
Por nëse deri në këtë pikë diskutimi është fokusuar në sistemet më të larta, ka një Inter që ofron një imazh të shkëlqyeshëm të vetvetes në fushë. Si fillim, ai mësoi të trajtonte në mënyrë të përsosur urgjencën. Në verë u tha: Inzaghi ka dy skuadra në dispozicion.
E vërtetë, por edhe në këtë rast mund ta gjeni veten në vështirësi. Dëmtimet e njëpasnjëshme të Pavard, Bastonit dhe De Vrij nxorën në pah kreativitetin e trajnerit, i cili “shpiku” si qendërmbrojtës Carlos Augusto, detyrë që e kreu me shumë besueshmëri.