Paqe mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë në “Air Albania”

29 March 2022, 19:57Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Paqe mes Shqipërisë dhe Gjeorgjisë në “Air

Është mbyllur me rrjeta të paprekura miqësorja Shqipëri-Gjeorgji në “Air Albania”.

Kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje me ritëm të mirë në “Air Albania”, krijuan disa raste, por goli nuk erdhi përballë një kundërshtari të fortë në prapavijë, që regjistroi rezultatin e pestë radhazi pozitiv.

Edi Reja bëri gjashtë ndryshime në formacion krahasuar me Spanjën. Rey Manaj përkrah Armando Brojës në sulm, sfida e parë si titullar për Kristjan Asllanin, teksa e nisën nga minuta e parë Thomas Strakosha, Ylber Ramadani, Odise Roshi dhe Endri Çekiçi.

Ky i fundit pati mundësinë më të mirë në minutën e 38-të. Asist perfekt i Gjimshitit, mesfushori i Konyaspor shmangu bukur një mbrojtës kundërshtar, por gjuajtja nuk pati saktësi.

Më parë tentuan edhe Broja, Asllani dhe Roshi. Reja la Brojën në dhomat e zhveshjes në pushim dhe në fushë zbriti Sokol Cikalleshi. Minuta edhe për Giacomo Vrionin, por edhe dy sulmuesit e futur si zëvendësues nuk ia dolën të kthejnë në gola shanset e tyre.

Ekipi mik provoi reflekset e Strakoshës me një gjuajtje potente të Kvekveskiri (72’).

Shqipëria tentoi golin në minutat e mbetura, por pa rezultat dhe takimi përfundoi në barazim 0-0.


Video