Ndryshon lista e Kombëtares, Silvinjo fton mesfushorin sulmues për herë të parë: Kam 6 muaj që e ndjek

7 October 2025, 20:01Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ndryshon lista e Kombëtares, Silvinjo fton mesfushorin sulmues për
Ndryshon lista e Kombëtares

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar pasditen e sotme seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të ndeshjeve ndaj Serbisë dhe Jordanisë.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në seancën e sotme lojtarët ishin në dispozicion të trajnerit Silvinjo dhe morën ngarkesën e plotë, ndërsa Enea Mihaj u bashkua sot me ekipin dhe u stërvit i veçuar.

Stërvitja e sotme nisi me punën në palestër e më pas trajneri Silvinjo së bashku me ekipin provuan disa situata të ndryshme loje dhe ana taktike.

Sakaq, trajneri Silvinjo ka vendosur të ftojë për këto dy ndeshje edhe sulmuesin Nazmi Gripshi, i cili vjen pas dëmtimit të Adrion Pajazitit.

Gripshi do të bashkohet me ekipin gjatë ditës së mërkurë dhe do të jetë në dispozicion ndaj Serbisë dhe Jordanisë.

Mesfushori, i cili ka shkëlqyer me parë me fanellën e Teutës, Skënderbeut e Ballkanit, është bërë protagonist kryesor i skuadrës së Astanës në kampionatin e futbollit në Kazakistan. Golat dhe asistet e tij kanë kthyer Astanan në pretendenten kryesore për titullin kampion dhe për mesfushorin kjo ftesë ishte deri diku e pritshme.

Vetë Silvinjo deklaroi në konferencë për shtyp ku prezantoi listën për Serbinë se kishte 6 muaj që ndiqte lojtarin dhe nuk hodhi poshtë mundësinë që në të ardhmen ta bënte pjesë të grupit kuqezi, gjë që ka ndodhur më shpejt se sa kishte planifikuar tekniku për shkak të situatës me dëmtimet.

Seanca e radhës stërvitore e Kombëtares do të zhvillohet nesër në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa po nesër, dy lojtarë do të dalin para medias në konferencë për shtyp në stadiumin “Air Albania”.


Video