Nëntori është muaji i miqësoreve për kuqezinjtë tanë. Në fakt, ky “zbor” nisi muajin e kaluar me miqësoren “në terr” (pa transmetim televiziv) ndaj Arabisë Saudite, në Abu Dabi. Me të njëjtat “valenca” do të jetë edhe miqësorja e 9 nëntorit me Katarin, e cila do të zhvillohet në Spanjë.
Kësaj radhe, kundërshtar i kuqezinjve të drejtuar nga Edy Reja do të jetë Katari, vendi organizator i Kupës së Botës që fillon më 20 të këtij muaji. Edhe kjo miqësore nuk do të transmetohet nga asnjë televizion. Sot është shpallur edhe lista e lojtarëve që do të grumbullohen për këtë ndeshje testuese. Faqja në internet e FSHF-së bën me dije:
“Trajneri i kombëtares, Edoardo Reja, ka shpallur listën me emrat e 23 lojtarëve të ftuar për miqësoren e 9 nëntorit ndaj Katarit. Pjesa më e madhe grupit është me lojtarë që ishin edhe në miqësoren me Arabinë Saudite, të luajtur më 26 tetor në Abu Dabi, ndërkohë që këtë herë mungojnë disa nga ata që aktivizohen me klubet e huaja.
I vetmi legjionar në këtë listë është Kristal Abazaj, i cili aktivizohet në kampionatin turk me klubin e Istanbulspor. Të gjithë futbollistët e tjerë aktivizohen në kampionatin shqiptar teksa për herë të parë janë ftuar lojtarë si Herald Marku, Serxho Ujka, Mario Dajsinani apo Arbin Zejnullai.
Përfaqësuesja do të shfrytëzojë shtyrjen e javës së 12-të të “Abissnet Superiore” për të nisur grumbullimin që ditën e shtunë me ekipin që do të përgatitet në kompleksin Tropikal në Durrës deri të martën, kur do të niset për në Marbella të Spanjës.
Ndeshja miqësore Shqipëri-Katar do të luhet pikërisht në stadiumin e Marbellas dhe do të nisë në ora 18:30. Kjo do të jetë përballja e tretë në histori mes Shqipërisë dhe Katarit, që të gjitha në ndeshje miqësore”.
Më poshtë edhe lista me emrat e 23 lojtarëve të ftuar në Kombëtare për miqësoren e radhës me Katarin:
