Lionel Messi ngriti lart Kupën e Botës të dielën në Lusail, duke kthyer përsëri Argjentinën në majën e futbollit botëror. Të gjithë panë yllin argjentinas të festonte me trofeun dhe më pas të bënte paradën e famshme me të kudo nëpër stadium.
Të gjithë panë sot edhe fotot e tij në avion, apo edhe kur e prezantoi para turmës sapo zbriti në aeroport, mes entuziazmit të të gjithë të pranishmëve. Por kjo Kupë që mori me vete Messi në Argjentinë, nuk është ajo e vërteta. Protokolli i dorëzimit të Kupës së Botës, për fatin e keq të argjentinasve dhe çdo skuadre tjetër që e fiton, zgjat vetëm pak orë.

Menjëherë pas dorëzimit të trofeut, lojtarëve, stafeve dhe personave të afërt të tyre u lejohet që të bëjnë foto dhe të mbajnë trofeun derisa delegacioni i ekipit fitues të largohet nga territori i vendit pritës. Ky i fundit, ka roje sigurie të veçantë që ndjekin kudo trofeun se mos ndodh ndonjë e papritur gjatë festimeve. Por në momentin që delegacioni i ekipit fitues largohet nga vendi pritës, trofeu duhet dorëzuar më parë në duart e FIFA-s, ndërsa një kopje e origjinalit e veshur me ar u dorëzohet fituesve, të cilët mund ta ekspozojnë dhe përdorin më pas sipas dëshirës këtë trofe.
Trofeu origjinal dërgohet menjëherë përsëri në Zyrih, ku qëndron në kasafortën që ndodhet në zyrat e FIFA-s, për t’u ekspozuar rrallëherë vetëm për aktivitete të rëndësishme. Ai trofe, i cili u paraqit për herë të parë në vitin 1974, pasi modeli i parë përfundoi në duart e Brazilit në vitin 1970 pasi bëri tre fitore, mendohet se do të jetë deri në vitin 2038, për t’u zëvendësuar me një tjetër.
Arsyeja është se në bazamentin e trofeut janë të vendosur emrat e skuadrave fituese të çdo edicioni që nga vitit 1974. Por duke marrë parasysh madhësinë e gdhendjes që i bëhet, nuk ka hapësirë për më shumë se 4 edicione të tjera.