Fituesi i trofeut “Topi i Artë 2025” për djem, për sezonin futbollistik 2024–2025 është Bekim Balaj. Balaj ka realizuar 19 gola në këtë edicion, duke u renditur në vendin e parë në listën e golashënuesve.
Ai triumfoi përballë ‘rivalëve’ si Baton Zabërgja (ish-sulmues i Dinamo City), Mario Dajsinani (portier i Egnatias) dhe Dejvi Bregu (mesfushor i Dinamo City-t). Ky është “Topi i Artë” i dytë në karrierën e sulmuesit të Vllaznisë.
Nga ana tjetër fituesja e trofeut “Topi i Artë 2025” për femra, për sezonin futbollistik 2024–2025 është Megi Doçi. Me 83 gola të realizuar me Vllazninë, Megi Doçi është renditur në krye të listës së golashënuesve në kategorinë e vajzave.
Ky është trofeu i tretë i këtij lloji në karrierën e saj, duke e bërë atë një nga futbollistet më të spikatura në historinë e futbollit të vajzave në vendin tonë.
Në garë për këtë çmim të rëndësishëm ishin edhe futbollistet Xhesika Ndoj (Gramshi), Arbiona Bajraktari (Vllaznia) dhe Xhulia Xhindole (Apolonia). Balaj dhe Doçi fituan mbrëmjen e sotme edhe trofeun “Këpuca e Artë 2025”.