Lewandowski nënshkruan me Barcelonën: Ëndërr të luaj në La Liga

20 July 2022, 18:12Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Lewandowski nënshkruan me Barcelonën: Ëndërr të luaj

Barcelona ka nënshkruar me sulmuesin polak Robert Lewandowski nga Bayern Munich me një kontratë katërvjeçare me vlerë 50 milionë euro.

33-vjeçari kishte një vit të mbetur në kontratën e tij me kampionët gjermanë, por në maj shprehu dëshirën për t’u larguar nga Gjermania.

Ai është bashkuar me shokët e tij të rinj të skuadrës në Miami si pjesë e turneut me katër ndeshje të Barcelonës në Shtetet e Bashkuara.

"Më në fund jam këtu. Jam i lumtur që jam te Barca. Ditët e fundit kanë qenë shumë të gjata, por marrëveshja ka përfunduar dhe tani mund të fokusohem në një kapitull dhe sfidë të re në jetën time. Gjithmonë kam dashur të luaj në La Liga dhe për klubet e mëdha. Unë jam këtu për të ndihmuar Barçën të kthehet në krye dhe të fitojë sa më shumë tituj të jetë e mundur”, tha polaku.

Barcelona i vendosi menjëherë Lewandowski, një klauzolë blerjeje prej 500 milionë euro. Ai iu bashkua Bayernit në një transferim të lirë në 2014 pas largimit të tij nga Borussia Dortmund.

Ai shënoi 50 gola në 46 ndeshje sezonin e kaluar teksa ndihmoi Bayernin të fitonte titullin e 10-të radhazi të Bundesligës.

Lewandowski ka shënuar 344 herë në 374 ndeshje për klubin dhe është golashënuesi i tyre i dytë më i mirë i të gjitha kohërave pas Gerd Muller. Ai ka fituar ligën në të tetë sezonet e tij në Bayern dhe gjithashtu ka fituar Ligën e Kampionëve në 2019-2020.

Lewandowski është nënshkrimi i katërt i Barcelonës gjatë verës pas transferimit të brazilianit Raphinha nga Leeds United në një marrëveshje me vlerë deri në 70 mln euro, ndërsa mesfushori i Bregut të Fildishtë, Franck Kessie dhe mbrojtësi i Danimarkës, Andreas Christensen kanë mbërritur në transferime të lira pas përfundimit të kontratave të tyre përkatëse me AC Milan dhe Chelsea.

 


Video