Kryeqyteti mbetet i kuq, Partizani fiton derbin ndaj Tiranës

15 February 2026, 18:50Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Kryeqyteti mbetet i kuq, Partizani fiton derbin ndaj Tiranës
Partizani fiton derbin e kryeqytetit

Partizani triumfoi 2-0 në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës. Një fitore e rëndësishme për të kuqtë në javën e 24-t, e cila i afron me zonën e “Final Four”.

Që në startin e takimit, Partizani ishte më kërkues, duke ngulmuar për golin e avantazhit. Isgandarli dëgroi topin në rrjetë në minutën e 12-të, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje.

Këmbëngulja e të kuqve u shpërblye në minutën e 27-të, kur Sidibe, pas një asisti të marrë nga Hjuman, ia doli ta dërgojë topin në rrjetë, për të zhbllokuar takimin.

Vetëm 10 minuta më vonë, i njëjti lojtar, asistoi për Isgandarlin në zonë, i cili dyfishoi shifrat, rezultat me të cilin u mbyll pjesa e parë.

Fraksioni i dytë, foli i gjithi për Tiranën, që kërkoi më ngulm golin, por ishte e pafat. Kobjilar shpërdoroi një mundësi të artë në minutën e 53-të, duke gjuajtur jashtë i vetëm me portierin.

Gjashtë minuta më vonë, i njëjti lojtar ishte i pafat, pasi pa gjuajtjen e tij të ndalej nga tranversa. Të njëjtin fat kishte edhe Mehmeti në minutën e 81-të, kur u ndal nga tranversa.

Me këtë fitore, Partizani mban vendin e pestë me 33 pikë, vetëm 3 pikë më pak se Dinamo e vendit të katërt. Tirana renditet në vendin e tetë me 21 pikë, në luftë për mbijetesën.


Video