
Bayern Munich u eliminua mes polemikave nga Real Madrid në gjysmëfinalen e kthimit të Champions League. Bavarezët shënuan të parët, por më pas u përmbysën 2-1 në fund nga dopieta e Joselu.
Në shtesë ekipi gjerman ka pretendime për një pozicion jashtë loje të paqenë, që në vijimin e aksionit erdhi goli i barazimit që nuk vlente. Pas ndeshjes për mediet trajneri Thomas Tuchel i miqve tha se Realin nuk mjafton ta mposhtësh vetëm në fushë.
"Jemi shumë të zhgënjyer, por njëkohësisht edhe të inatosur për atë vendim të arbitrave në fundin e ndeshjes. E ndaluan lojën për pozicion jashtë loje, por nuk u duk një pozicion jashtë loje. Të mundësh Realin duhet të fitosh edhe në dushe pasi vetëm fusha nuk mjafton.
Gjithsesi, më vjen keq sepse e pësuam golin e barazimit nga një gabim i lojtarit tonë më të mirë (Neuer), pastaj erdhi ai vendim skandaloz i arbitrave. Marciniak më kërkoi falje, e pranoi se ishte një gabim. Nuk ishte vetëm gabimi i tij, nisi nga anësori që ngriti flamurin pa qenë i sigurt për pozicionin jashtë loje. Ishin dy gabime në një aksion, kishte kaos.
Nga ana tjetër, jam i lumtur për performancën e të besuarve të mi, nuk është e lehtë në Madrid. Në Bernabeu nuk ka nevojë të jesh perfekt, mjafton të jesh shumë i mirë. Ne ishim, por jo deri në fund. Lamë gjithçka në fushë”, u shpreh Tuchel.