Dështimi për të firmosur me Bremer ka zhvendosur vëmendjen e Interit tek një tjetër pistë merkatoje.
Sipas asaj që raporton “Sportmediaset”, zikaltërit kanë shfaqur interes për mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti.
29-vjeçari shihet si një opsion i mirë për të përforcuar prapavijën e skuadrës së Interit.
Për të arritur te Gjimshiti, Interi është gati të ofrojë kartonin e mbrojtësit të krahut Lazaro për të mos bërë shpenzime të tepërta për shqiptarin.
Gjimshiti gjendet prej kohësh në listën e dëshirave të Interit, por interesi i lartë i Atalantës për të firmosur me Lazaro, i ka shtyrë drejtuesit zikaltër që të mendojnë seriozisht për shqiptarin.
Duke iu referuar burimeve të mediave italiane është e mundur që të arrihet një marrëveshje shkëmbimi për dy lojtarët.
Kartoni i qendërmbrojtësit shqiptar vlerësohet 17 milionë Euro në treg dhe pëlqehet së tepërmi nga Interi pasi është i aftë për të luajtur edhe me mbrojtjen me tre, skemë që praktikohet nga trajneri Simone Inzaghi.
Sezonin e shkuar, Gjimshiti luajti në 36 ndeshje ku shënoi edhe tre gola.