
Kryesfida e javës e Serisë A nuk prodhoi fitues. Napoli dhe Interi ndanë nga një pikë, po aq sa edhe gola në ndeshjen e luajtur në stadiumin “Diego Armando Maradona”.
Për vendasit shënoi me 11-metërsh Insigne që në minutën e shtatë të ndeshje. Pjesa e parë u mbyll me vendasit në avantazh.
Interi reagoi që në minutat e para të pjesës së dytë, kur tre minuta pas rifilimit të ndeshjes, Dzeko barazpeshoi rezultatin. Goli i tij ishte edhe i fundit në këtë takim, që u mbyll në paqe ndoshta me një rezultat të merituar për të dyja skuadrat, nisur nga ndeshja e barabartë në fushë, me pak epërsi të Napolit sa u takon rasteve të golit.
Në këtë ndeshje luajti për 90 minuta për Napolin i zakonshmi Rrahmani në qendër të mbrojtjes, që zhvilloi një ndeshje të mirë.
Me këtë rezultat Interi mban vendin e parë, ndërsa Napolit të dytin, por u japin një mundësi të artë ekipeve ndjekëse si Milan, Juve e Atalanta që të ngushtojnë hendekun e pikëve me ta.