
Inzaghi priste një përgjigje pas humbjes në derbi dhe Interi i tij ka reaguar mjaft mirë kundër Romës së Mourinhos, që tani i mbetet vetëm Conference League për të evituar një sezon me “zero tituli”.
Inter fitoi me rezultatin 2-0 në një ndeshje pa shumë histori.
Edin Dzeko kaloi në avantazh zikaltërit që në minutën e dytë, duke dërguar në rrjetë me të djathtën një top të krosuar nga Ivan Perisic.
Barella goditi traversën disa minuta më vonë, ndërkohë që Samir Handanovic ndali Zaniolon në rastin e vetëm të pastër të Romës.
Alexis Sanchez mbylli llogaritë në minutën e 68, me një goditje të jashtëzakonshme nga distanca, që përfundoi në trekëndësh, duke mos i lënë shans portierit Rui Patricio.
Interi mund të hakmerret në gjysmëfinale pasi në çerekfinalen tjetër në San Siro kuajnë Milan-Lazio.