Berke Ozer pa që popullariteti i tij të shpërthente pas tre penalltive të pritura në Roma-Lille. Në ndeshjen e Europa League ku skuadra franceze u imponua 1-0 në Olimpico, portieri turk arriti të neutralizonte dy herë Dovbyk dhe një herë Soulé, pasi arbitri vendosi të bënte të përsëritej penalltia. Një mbrëmje e paharrueshme për lojtarin e lindur në vitin 2000, i cili në formacionin transalpin ka trashëguar vendin e Chevalier, që nga ana e tij ishte bërë trashëgimtari i Donnarummës te PSG. Si ia doli? Përveç dëshirës për të shlyer një fillim sezoni jo të lehtë, Berke Özer kishte një motivim të veçantë, falë të fejuarës së tij.
Incredible scene during the match between AS Roma and Lille — the penalty had to be retaken three times, and Lille’s goalkeeper Berke Ozer saved all three. ????????????pic.twitter.com/3ETBEp9oP5
— Tekkers Foot (@tekkersfoot) October 2, 2025
Nëse të presësh një penallti është një arritje aspak e thjeshtë, imagjino të presësh tre në tre minuta, ndaj dy lojtarëve të ndryshëm. E megjithatë Özer ia doli, si kur arbitri vendosi ta përsëriste penalltinë për shkak të një hyrjeje në zonë të një shoku të skuadrës, ashtu edhe kur ai vetë u kap më përpara sesa vija e portës. Dy zhytje në të majtë për t’i thënë jo Dovbyk dhe një në të djathtë kur Soulé vendosi të ndryshonte trajektoren. Një ndërhyrje e trefishtë e jashtëzakonshme për këtë djalë që, pasi ka veshur fanellat e shumë klubeve në atdhe, përfshirë ato të Fenerbahce, Eyupspor dhe Umraniyespor, me paranteza në Portugali dhe Belgjikë, vendosi verën e kaluar të transferohej te Lille. Shoqëria franceze, e mbetur pa njërin prej portierëve më të mirë të Francës, vendosi të investonte tek ai me një shifër prej 4.5 milionë eurosh.
Paraqitjet e Ozer te Lille pas Chevalier
Fillim ishte jo i lehtë për Berke, i cili, para sfidës me Romën, kishte pësuar 13 gola në 7 ndeshje duke mbledhur vetëm një clean sheet. Pastaj, ja nata magjike e Olimpicos për këtë djalosh që në aktiv ka edhe dy paraqitje me kombëtaren e parë turke, ku kishte mbërritur pasi kishte kaluar të gjitha nivelet e moshave. Trajneri i tij Bruno Genesio komentoi kështu paraqitjen e portierit: “Berke erdhi pas një portieri si Chevalier, një prej më të mirëve në Francë. Nuk është gjë e lehtë. Si i ri dhe pak i njohur ndryshoi vend, gjuhë, zakone stërvitjeje. Janë sfida vërtet të vështira”.
Edhe Genesio mbeti shumë i impresionuar nga ajo që ndodhi: “Berke Ozer priti tre penallti radhazi. Në jetën time nuk kisha parë kurrë një gjë të tillë. Kanë qenë momente të vështira. Që në ndeshjen kundër Lorient kishte neutralizuar një penallti. Për të të presësh penallti duket gati si një hobi. Por t’ia dalësh në Europë është diçka e jashtëzakonshme”.
Edhe trajneri i Romës, Gasperini foli pas humbjes së Romës kundër Lille në ndeshjen e dytë të Europa League dhe mbi tre penalltitë e humbura brenda pak minutash u shpreh kështu: “Nuk e di, është me të vërtetë një situatë unike dhe rastësore dhe ndodh shumë rrallë. Ndodhi dhe pa dyshim e komprometoi rezultatin. Skuadra në aspektin e ritmit dha shumë dhe ajo penallti mund të jepte një kthesë pozitive. Pastaj humb dhe sigurisht i sheh të gjitha negative, por ne dalim me ndonjë vlerë më shumë”.
Premtimi ndaj të fejuarës
Po vetë protagonisti? Berke Ozer, entuziast dhe gati i pabesueshëm, tregoi një prapaskenë që lidhej me të fejuarën në mikrofonët e Canal+: “Ishte një mbrëmje e çmendur. Para ndeshjes i premtova të fejuarës time se nuk do të pësoja gol. Më tha që kishte pak kohë që nuk kisha bërë një clean sheet. Nuk mendoja se do të ishte kaq e vështirë, por në fund ia dola. As vetë nuk e di si e bëra, për të qenë i sinqertë. Po të kishte qenë edhe një e katërt, mund ta kisha pritur edhe atë. Por ishte një mbrëmje e pabesueshme për skuadrën. Brenda meje, ajo që ka rëndësi janë tre pikët, jo tre penalltitë e pritura”.