
Edhe pse Gjykata e Tiranës vendosi sot të pezullonte zgjedhjet e 2 Marsit për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, por kjo e fundit ka vazhduar procesin.
FSHF njoftoi se “në kuadër të përgatitjeve për Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore të datës 02 mars 2022, FSHF vijon normalisht procedurat në bazë të statutit me anëtarët e saj për mbarëvajtjen normale të procesit zgjedhor.
Pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të FSHF, i mbledhur sot më 17 shkurt 2022 duke filluar nga ora 11:00, që miratoi materialet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme Zgjedhore 2022, Federata do të njohë anëtarët e Asamblesë me materialet dhe me rendin e ditës që do të shqyrtohen në këtë mbledhje. Gjithashtu, anëtarët do të njihen edhe me bilancin financiar dhe projekt-buxhetin, që do t’i propozohen Asamblesë për miratim, si edhe me emrat e kandidatëve për president dhe kandidatët për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Komisioni i Verifikimit, që është organi përgjegjës për organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit zgjedhor, ka verifikuar ligjshmërinë e propozimeve dhe integritetin e kandidatëve të propozuar për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së. Ky komision ka dalë me vendimin se për postin e kandidatit për President të FSHF-së kanë marrë numrin e propozimeve të nevojshëm Armand Duka, Dritan Shakohoxha dhe Sulejman Starova.
Po sipas këtij komisioni kandidatët për anëtar të Komitet Ekzekutiv të FSHF janë 12, të cilët kanë marrë numrin e nevojshëm të propozimeve për të qenë zyrtarisht në garë me së paku 2 propozime. Lista e kandidatëve për anëtarë të KE-së është kjo: Abdyl Kuriu, Anila Basha, Arben Dervishaj, Bardhyl Jera, Envi Hicka, Ermal Tahiri, Ervin Canollari, Gjergji Petro, Lutfi Nuriu, Pano Xhixho, Vasil Bicaj dhe Ylli Ҫekiҫi”.
Çfarë vendosi Gjykata e Tiranës?
Gjykata e Tiranës ka pezulluar zgjedhjet e 2 Marsit për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Sipas gjykatës, Federata Shqiptare e Futbollit nuk mund të organizojë zgjedhjet pa u shqyrtuar të gjitha ankesat në gjykatë.
Në vendimin e saj, Gjykata e Tiranës ka pezulluar edhe Komitetin Ekzekutiv të FSHF për zgjedhjet e 2 Marsit si dhe gjithë Komisionin e Verifikimeve në FSHF për zgjedhje.
Gjykata e Tiranës thotë se zgjedhjet në FSHF do të mbahen vetëm pas vendimeve për ankesat që janë bërë në gjykatë.
Çështja e zgjedhjeve rajonale për FSHF u zhvilluan në klimë tensioni me akuza dhe kundërakuza. Për këtë në Tiranë ndodhen prej 3 ditësh edhe 3 zyrtarë të UEFA-s të cilët po shqyrtojnë procedurat e ndjekura.