FSHF masakron Tiranën për dhunën në Rrogozhinë, asnjë masë për arbitrin që dha penalltinë e dyshimtë

26 May 2023, 16:55Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
FSHF masakron Tiranën për dhunën në Rrogozhinë,
Tifozët

Komisioni i Disiplinës së FSHF-së ka “masakruar” Tiranën në lidhje me tensionet e krijuara në fundin e ndeshjes me Bylisin, sfidë e cila u luajt në "Egnatia Arena" të Rrogozhinës.

Ndeshja përfundoi me rezultatin 2-2, me golin e dytë të ballshiotëve të realizuar me një penallti mjaft të dyshimtë të dhënë nga gjyqtari Kridens Meta, për të cilin FSHF duket se nuk ka ndërmend të marrë ndonjë masë ndaj tij. Ajo penallti e dyshimtë vendosi fatin e sezonit për bardheblutë, të cilët humbën vendin e parë në renditje një javë para fundit të kampionatit dhe në fundin e ndeshjes tifozët tentuan të dhunonin gjyqtarin Kridens Meta.

FSHF ka dënuar me afat 90 ditor për të zhvilluar ndeshjet pa tifozë, teksa ka dhënë dënime të paprecedenta për pjesën më të madhe të lojtarëve bardheblu.

Portieri Visar Bekaj është pezulluar për 1 vit nga të gjitha aktivitetet dhe është gjobitur edhe me 100 mijë lekë të reja. Ndërsa lojtarët e tjerë janë pezulluar me 8, 6 dhe 4 ndeshje pezullim.

Vendimet e plota të Komisionit të Disiplinës së FSHF-së:

1. Çeljen e hetimit disiplinor për aktet e ndodhura në ndeshjen e javës së 35-të të “Abissnet Superiore” midis KF Tirana dhe KF Bylis. Marrjen e masës së përkohshme të zhvillimit të ndeshjeve të KF Tirana pa spektator për një afat 90 (nëntëdhjetë) ditor në përputhje me Nenin 91 të KDS deri në marrjen e një sanksioni përfundimtar.
2. Lojtari i KF Tirana, Visar Bekaj, për nxitje të urrejtjes dhe akteve të dhunës, në bazë të nenit 51/1 të KDS, dënohet me 12 (dymbëdhjetë) muaj pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
3. Lojtari i KF Tirana, Albano Aleksi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashte) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
4. Lojtari i KF Tirana, Aldi Gjumsi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
5. Lojtari i KF Tirana, Bruno Lulaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet me 6 (gjashtë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
6. Lojtari i KF Tirana, Besir Iseni, për pështymjen ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/c të KDS, dënohet me 24 (njëzet e katër) muaj pezullim nga të gjitha aktivitetet.
7. Lojtari i KF Tirana, Florent Hasani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/1/a të KDS, dënohet 4 (katër) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
8. Zyrtari i KF Tirana, Arzen Vocaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
9. Zyrtari i KF Tirana, Kostandinos Jani, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
10. Zyrtari i KF Tirana, Marvi Kastrati, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 48/2/a të KDS, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga të gjitha aktivitetet.
11. KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në terrenin sportiv, në bazë të nenit 65/1 dhe 65/3/c të KDS, dënohet me gjobë në masën 200.000 (dyqind mijë) lekë.
12. Lapraka Sport U-15, për aktivizimin e një lojtari që nuk kishte të drejtë të luante në ndeshjen e vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Dytë U-15, Play off kundër AK Selaci U-15, në bazë të neneve 30/3 dhe 53 të KDS, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.


Video