FSHF kërkon të organizojë Euro U-21 bashkë me Serbinë, revoltohen tifozët e kombëtares

9 May 2024, 15:34Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
FSHF kërkon të organizojë Euro U-21 bashkë me Serbinë,
Tifozat Kuq e Zi

Tifozët e kombëtares në Shqipëri dhe Kosovë, kanë shprehur revoltën e tyre pas lajmit se Federata Shqiptare e Futbollit kërkon të organizojë kampionatin evropian të futbollit nën moshat 21-vjeç, së bashku me Serbinë.

Mesazhet kanë qenë nga më të ndryshmet në rrjetet sociale, kundër kësaj ideje, që sipas FSHF, po bëhet për t’i ardhur në ndihmë Serbisë pasi ka aplikuar e vetme por nuk i përmbush kushtet.

Ndër to tërheq vëmendje mesazhi i Tifozave Kuq e Zi, një prej tifogrupeve më të flakët të kombëtares, të cilët thonë se me këtë vendim po anashkalohet Kosova, ndërsa “FSHF” po shet fytyrën duke bashkëpunuar me serbët, të cilët nuk lënë vend nëpër stadiume duke shpalosur banderola e duke kënduar këngë anti shqiptare.

Mesazhi i plotë i TKZ:

Lajmet për organizimin e Kampionatit Evropian të Shpresave (U21) 2027 nga Serbia kanë qarkulluar që në fillim të marsit 2024. Në këto lajme, njoftohet se Serbia aplikon e vetme për të organizuar këtë Evropian. Në të njejtat raportime te lajmit shkruhet se Serbisë “mund t’i kërkohet nga UEFA që ta organizojë kampionatin së bashku me Shqipërinë”.

Serbia, përveç krimeve dhe gjenocidit ndaj shqiptarëve është dënuar në disa raste nga UEFA për tifozët e saj racistë e të dhunshëm deri në vrasje. Sa për marrëdhëniet e drejtpërdrejta sportive të Shqipërisë me Serbinë pamjet, thirrjet, kriminale për therjen dhe vrasjen e shqiptarëve, goditjet ndaj lojtarëve tanë në 14 tetor 2014, dhe terrori ndaj delegacionit nuk besojmë se janë harruar. Njëlloj vazhdon përhapja e parullave të ngjashme nga tifozët serbë në ndeshje ku nuk janë aspak të perfshirë skuadrat shqiptare. Për asnjë nga këto nuk është kërkuar falje, përkundrazi kane luftuar edhe “sportivisht” kundër nesh deri në shkallët më të larta gjyqesore sportive.

Duke qenë se shpesh dhe me të drejtë sporti përdoret për të promovuar paqe, bashkëpunimin, mirëkuptim dhe shpresë do të duhej fallciteti, fasada, propaganda dhe në rastin më të mirë PR-i të organizohej dhe t’i “shiteshin” publikut pak më profesionalisht. Kështu që mirë do të ishte FSHF të tregojë nëse paraprakisht ka kërkuar të organizojë U21 Euro 2027 së bashku me Maqedoninë e Veriut, apo me Malin e Zi? Për sa kohë nuk përmbushim kërkesat teknike të mos shesim fytyrën dhe interesat etnike. Fqinjë kemi boll, skemi pse kapërcejmë Kosovën për ti dhënë ndihmë Serbisë.

Tifozat Kuq e Zi

1 Komb 1 Kombëtare 1 Kampionat Shqiptar


Video