Klubi i madh gjerman i Bajernit të Mynihut ka përfunduar në shënjestrën e zyrës doganore në Bavari, sepse nuk ka bërë pagesën minimale për disa punonjës të tij të sektorit të të rinjve.
Zëdhënësi i kësaj zyre, Thomas Meister, ka pohuar për Associated Press se klubi më i pasur dhe më i suksesshëm në Gjermani është investiguar, sepse ka paguar më pak se kuota minimale punonjësit e tij nga nëntori 2016 deri në 2021-shin.
Kjo shkelje i ka kushtuar klubit një gjobë prej 250 mijë eurosh në total, përfshirë edhe sanksionet për vonesat e pagesave.
Gjatë hetimit zyra doganore ka zbuluar se punonjësit e kampusit të të rinjve të Bajernit paguheshin 450 euro në muaj, ndërkohë që puna që kryenin ishte shumë më e madhe. Në kohën kur ka ndodhur ngjarja, një punë prej 450 eurosh, e njohur si 'mini-job', i takonte një punonjësi që part-time dhe nuk afronte asnjë sigurim social. Nga atëherë paga minimale ka shkuar në 520 euro.