Rama i kërcënoi të votonin pro, ndryshe përjashtoheshin - Deputetja socialiste: Ne funksionojmë si Bundestagu gjerman dhe Parlamenti britanik

12 October 2026, 21:49Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama i kërcënoi të votonin pro, ndryshe përjashtoheshin -

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste funksionon sipas rregullave të Bundestagut gjerman dhe Parlamentit britanik.

Kështu e shpjegon deputetja socialiste Sara Mila disiplinën e votimit në PS, ku edhe ata që kanë kundërshtime ndaj një vendimi, në fund votojnë njësoj si të tjerët.

E ftuar në emisionin “Top Story”, Mila ka marrë përsipër të shpjegojë se përse deputetët socialistë votuan në bllok Reformën Territoriale, pavarësisht kundërshtimeve që disa prej tyre kishin shprehur më parë.

“Ne kemi ndjekur një rregull disiplinor, të cilin e shohim të zbatohet shpesh në Bundestag apo në Parlamentin britanik”, deklaroi ajo.

Por krahasimi me Bundestagun nuk ishte argumenti i vetëm i deputetes. Mila shpjegoi se nuk ka asnjë kompleks të mendojë ndryshe nga kryetari i partisë, Edi Rama. Madje, sipas saj, mund të ketë mendime pro dhe kundër tij. Vetëm se deri tani nuk i ka ndodhur të ketë ndonjë arsye për ta kundërshtuar.

“Nuk kam komplekse të mendoj ndryshe kur kam mendime pro dhe kundër kryetarit. Unë kam besim absolut se kryetari im nuk voton kundër Shqipërisë dhe nuk e mendoj të arsyeshme të hedh një votë kundër”, u shpreh Mila.

E pyetur konkretisht se në cilin rast kishte pasur mendim të kundërt me kryetarin, deputetja pranoi se një rast i tillë ende nuk ishte regjistruar.

“Deri tani nuk më ka ndodhur të jem kundër, sepse nuk ka pasur arsye të jem kundër kryetarit”, tha ajo.

Për të mbrojtur disiplinën socialiste, Mila solli edhe shembullin e Partisë Demokratike, duke pyetur përse asnjë deputet opozitar nuk votoi pro reformës. Sipas saj, edhe demokratët kanë ndjekur vendimin e grupit parlamentar.

Në fund, Mila këmbënguli se votimi nuk duhet interpretuar si bindje ndaj kryetarit, por si respektim i vendimit kolektiv të grupit parlamentar.


Video