Ambasadorja e ShBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim ka takuar ditën e sotme zëvendëskryeministren Belinda Balluku, një ditë pasi kjo e fundit mori detyrën e re.
Në një postim në rrjetet sociale, ambasadorja Kim shkruan se e ka uruar Ballukun për detyrën e re dhe mezi pret forcimin e bashkëpunimit në të gjitha frontet. Ajo bën me dije se kanë folur për krizën ushqimore dhe energjetike të shkaktuara nga lufta në Ukrainë si dhe për bashkëpunimin e Amerikës me Shqipërinë për sulmin e fundit kibernetik.
Yuri Kim shton më tej se duhen bërë hapa konkretë për të çrrënjosur korrupsionin, për t'u siguruar që zyrtarët të veprojnë sipas standardeve më të larta dhe të zbatojnë reformën në drejtësi.
"U takova me Belinda Ballukun sot për ta uruar për portofolin shtesë si zëvendëskryeministre. Ne mezi presim forcimin e bashkëpunimit në të gjitha frontet, duke përfshirë përgjigjen ndaj sfidave ndaj sigurisë së ushqimit dhe energjisë në shkallë globale të shkaktuar nga lufta e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës. Gjithashtu konfirmuam bashkëpunim të fortë SHBA-ve në lidhje me sulmin e fundit kibernetik kundër Shqipërisë. Ekspertët amerikanë nga agjenci të ndryshme po mbështesin përpjekjet e Shqipërisë me metoda shkencore; rritjen e sigurisë kibernetike për të mbrojtur qeverinë dhe qytetarët; dhe të parandaluar përsëritjet. Theksova rëndësinë e hapave më konkretë për të çrrënjosur korrupsionin, për t'u siguruar që zyrtarët të veprojnë sipas standardeve më të larta dhe të zbatojnë reformën në drejtësi. Si presidenti Biden e ka bërë të qartë, SHBA e sheh korrupsionin si një kërcënim për sigurinë kombëtare dhe ne do të ndërmarrim veprime në përputhje me rrethanat." shkruan Yuri Kim.