"U përdorën për favore", PD kërkon hetim për investitorët strategjik të Ramës

4 May 2022, 15:52Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

"U përdorën për favore", PD kërkon hetim për

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend një kërkesë për ngritjen e një komisioni hetimor për personat dhe kompanitë që kanë përfituar statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare.

Kërkesa është firmosur nga shtatë deputetët: Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi, Lefter Gështenja, Arbi Agalliu dhe Ferdinand Xhaferraj. Ata kërkojnë verifikimin e procedurave të dhënies së statusit të investitorit strategjik, duke argumentuar se, megjithëse qëllimi i ligjit për investitorët strategjik ishte pozitiv, ai u përdor për t'u dhënë favore dhe përfitime njerëzve me lidhje të forta personale apo familjare pranë qeverisë dhe drejtuesve të Partisë Socialiste.

Tre rastet konkrete janë ato të Portit të Durrësit, rastin e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë, Gazmend Paja dhe rastin e bashkëshortit të ministres së Jashtme dhe deputetes së PS-së, Olta Xhacka

Pjesë nga kërkesa e PD-së:

Mbi këto projekte ka pasur hije dyshimi për korrupsion, favorizim, paligjshmëri, klientelizëm dhe arbitraritet, duke dhënë si shembull tre procedura:

1. për rastin e Portit të Durrësit;
2. rastin e anëtarit të Këshillit Bashkiak Tiranë (PS), z. Gazmend Paja, i cili ka përfituar 133 mijë m2 në Dhërmi;
3. rastin e bashkëshortit të ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe deputetes së PS-së, znj. Olta Xhacka, ish-deputeti socialist z. Artan Gaci, i cili ka përfituar të drejtën e përdorimit të brigjeve të detit dhe të zonës përkatëse të plazhit përballë kompleksit që po ndërtohet në fshatin Gjilekë të bashkisë Himarë.

Me qëllim shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike, vlerësimin e mundësisë për hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” me qëllim parandalimin e të gjitha praktikave të paligjshme, abuzive apo korruptive, duke pasur parasysh edhe rëndësinë thelbësore që ka për ekonominë tonë rritja e përthithjes së investimeve vendase dhe të huaja, nëpërmjet procedurave të ligjshme, transparente dhe meritokratike, cmojmë të nevojshme ngritjen e një Komisioni të Posacëm Parlamentar për Investimet Strategjike.

Komisioni propozohet të ketë për objekt të veprimtarisë së tij:
(i) shqyrtimin e të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike;
(ii) hartimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë”;
(iii) shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit “Për Investimet”.


Video