Tetë muaj pasi 104 ligjvënës në Kuvendin e Shqipërisë morën vendimin për të shkarkuar Presidentin e Republikës Ilir Meta për shkelje të rënda të Kushtetutës, më në fund Gjykata Kushtetuese do të zhvillojë seancën plenare për ta shqyrtuar këtë çështje kaq të ndjeshme të politikës shqiptare.
Pas shtyrjeve të shumta, nga ato pa argumentim tek ato se relatori ishte me COVID, sot në sallën e Gjykatës Kushtetuese, në orën 10:00 do të jepen argumentet e palëve se pse Meta duhet apo jo të jetë në krye të shtetit shqiptar.
Që Presidenti të shkarkohet, pro vendimit të Kuvendit duhet të votojnë të paktën 5 anëtarë dhe duhet patjetër të marrin pjesë në votim 6 anëtarë. Gjykata Kushtetuese ka aktualisht 7 anëtarë nga 9 që duhej të kishte gjithsej.
Meta është shkarkuar nga Kuvendi më 9 qershor 2021 me argumente të tilla si shkelje të rënda të Kushtetutës, provokim të cenimit të marrëdhënieve me SHBA, shantazh ndaj drejtësisë, thirrje për veprime të dhunshme, nxitje urrejtje, cenim të sigurisë publike etj.