
Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikua raportin e ndërmjetëm mbi monitorimin e procesit të fushatës parazgjedhore për zgjedhet locale të 14 majit.
Në raportin e publikuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit shkruhet se ka patur vepra penale, fushata zgjedhore rezulton se ka filluar para afatit, deri në mbulimin mediatik.
KShH është ndalur edhe në klimën e fushatë zgjedhore duke nisur nga incidentet në rastin e kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Bernard Ndreca që I vendosën tritol në mjetin e tij.
Po ashtu në raportin e KShH flitet për median e cila rezulton se ka qenë “e detyruar” apo “kushtëzuar” t’i referohet përmbajtjes së materialeve të prodhuara nga partitë politike.
Përdorimi Aseteve Publike në fushatë ka qenë pjesë e raportit të KShH-s, e cila vëren se janë përdorur nga ana e subjekteve zgjedhore ishin të formave të ndryshme, duke filluar që nga shfrytëzimi i administratës shtetërore, burimeve materiale të institucioneve apo përdorimi i mjeteve të komunikimit elektronik, si një formë e re e shpërdorimit të aseteve publike e përhapur tej mase viteve të fundit.
Pjesë nga raporti i ndërmjetëm i Komiteti Shqiptar të Helsinkit
Fushata Zgjedhore
Fushata zgjedhore rezulton se ka filluar para afatit të parashikuar në nenin 77 të Kodit Zgjedhor (fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve). Data 14 Prill duhet të ishte data e fillimit të fushatës, por referuar të dhënave të medias dhe vëzhguesve afatgjatë të KShH-së, rezulton se subjektet zgjedhore kanë zhvilluar takime elektorale, kryesisht në ambiente të mbyllura (lokale) por edhe në ambiente publike (lagje apo rrugë). Këto takime kanë filluar qysh prej muajit Dhjetor të vitit të kaluar por më së shumti ato janë ekspozuar 2-3 muaj para datës zyrtare (afatit ligjor) të fillimit të fushatës. Kodi Zgjedhor nuk parashikon sanksione pçr fillimin e hershëm të fushatës zgjedhore, çka e bën afatin ligjor të fillimit të fushatës zyrtare, formal.
Në mënyrë të veçantë, pas zyrtarizimit të kandidaturave prej subjekteve zgjedhore dhe depozitimit të listës e dokumentacionit mbështetës pranë KQZ-së, është vërejtur një fluks i shtuar aktivitetesh, prej subjekteve zgjedhore për të arritur qytetarët nëpërmjet takimeve publike, kremtimeve, shpërndarjeve të pamfletave, etj. Rastet e përcjella nga vëzhguesit afatgjatë të KShH-së janë të shumta, por tërheq vëmendjen fakti i garës avantazhuese të kandidatëve për kryetarë bashkie që mbajnë këto poste (të rikandiduar).
Konkretisht, gjatë javës së fundit të Shkurtit, Kryetari aktual i Bashkisë Berat ka zhvilluar një zinxhir takimesh me bordet e prindërve të fëmijëve të kopshteve mbi rritjen e cilësisë së shërbimit, si dhe për të shkëmbyer ide për përmirësime të mëtejshme. Kandidati i PS në Gjirokastër, Flamur Golemi, ka patur takime në zona të ndryshme, në orët e mbasdites dhe në fundjavë, edhe me emigrantët shqiptarë në Janinë. Takimet janë e pasqyruara në rrjetin e tij social Facebook, janë ndarë e pëlqyer, nga administrata e pushtetit vendor e atij ekzekutiv (gjatë orarit zyrtar të punës).
Në Bashkinë Kukës, në periudhën 21 Mars - 9 Prill 2023, dy kandidatët politikë përfaqësues të PS Z. Safet Gjici, Kryetari aktual i Bashkisë (i rikandiduar) si dhe Z. Admir Sinamati përfaqësues i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, kanë filluar një tur takimesh me grupe banorësh të fshatrave të ndryshme të qytetit të Kukësit, të cilat janë zhvilluar në lokale/kafene të fshatrave përkatëse, si dhe në oborre të shkollave 9-vjeçare. Ndërkohë, z. Gjici ka realizuar në dt.04.03.2023 rreth orës 16:00 takim me qytetarë kuksian në Mbretërinë e Bashkuar (Londër, Birmingham), duke prezantuar ndër vitet e udhëheqjes së mandatit bashkiak dhe të ofronte suport për emigrantet që rikthehen në vendin e tyre.
Vëzhguesit afatgjatë kanë raportuar se nga fillimi i muajit Shkurt të këtij viti, ka nisur fushata e kandidatit për Bashkinë Tiranë, z. Belind Këlliçi, nëpërmjet lëvizjes së makinave të loguara me parullën e fushatës dhe shpërndarja e fletëpalosjeve përgjatë trotuareve me trafik të lartë këmbësor. Gjithashtu, edhe Z. Veliaj, Kryetari i Bashkisë Tiranë i ri-kandiduar i PS, ka kryer një sërë takimesh me banorë të kryeqytetit. Të dy këta kandidatë kanë shpalosur pjesë të platformave të tyre në programe televizive prime time.
Klima midis subjekteve zgjedhore
Në vigjilje të fushatës zgjedhore zyrtare, KShH dënoi ashpër aktin kriminal me rrezikshmëri të theksuar shoqërore ndaj kreut të PD-së në Vaun e Dejës, Z. Bernard Ndreca, nëpërmjet vendosjes në makinën e tij, të një sasie eksplozivi që shpërtheu, por që fatmirësisht nuk ka patur të lënduar. KShH i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë çështjen me përparësi, në mënyrë të gjithanshme dhe me objektivitet, ndërkohë që është e domosdoshme të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë. Zbulimi i motiveve të këtij krimi dhe ndëshkimi përkatës i autorit ose autorëve të tij do t’i shërbente edhe sqarimit të opinionit të gjerë publik, pasi incidente të tilla të dhunshme dhe kërcënuese ndikojnë negativisht tek zgjedhësit në periudhën parazgjedhore. Lidhur me këtë çështje, nuk ka patur komunikime zyrtare nga organi i prokurorisë.
Gjithashtu, janë konstatuar edhe akte rastësore (sporadike) vandalizmi, sikurse është ai i raportuar në dt 30.04.2023, në Bashkinë e Kukësit. Dy objekte ku ishin stampuar posterat e kandidatit socialist z. Safet Gjici, janë thyer xhamat, e grisur pjesa e posterit.
Pavarësisht këtyre rasteve, në tërësi fushata nuk është shoqëruar me incidente të rënda. Megjithatë, është shumë shqetësues fakti se ajo është realizuar në një klimë tepër e polarizuar politike. Kjo klimë ka reflektuar me elementë të theksuar të gjuhës së urrejtjes dhe akuzave të ndërsjellta, në cenim të dinjitetit njerëzor ndaj drejtuesve dhe kandidatëve të subjekteve zgjedhore. Si rezultat i gjuhës së urrejtjes, debati dhe ballafaqimi i platformave midis kandidatëve të forcave të ndryshme politike ka qenë i munguar.
Fushata zgjedhore e pasqyruar në media është përqëndruar më së shumti në retorikat midis drejtuesve të partive politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore apo koalicione dhe ekspozoi në nivele shumë të ulëta, kandidatët për kryetarë bashkie (me përjashtim të Bashkisë Tiranë apo bashkive të tjera të mëdha). Pothuajse, fushata nuk ekspozoi kandidatët për anëtarë të Këshillave Bashkiakë, që është edhe organi vendimmarrës në secilën Bashki.
Klima Zgjedhore në raport me zgjedhësit
KShH vërejti gjithashtu se ishte gati e munguar fushata për programet politike të subjekteve zgjedhore, ndërkohë që retorika u përqëndrua në premtime të pa studiuara, të tepruara, të cilat nuk shfaqën interes për elektoratin e gjerë, duke u kthyer me efektin bumerang për partitë politike. Mungesa e platformave dhe retorika premtuese për çështje që nuk janë në përgjegjësi të pushtetit vendor por atij qendror, kufizoi në tërësi zgjedhësit nga mundësia për t’u njohur me idetë dhe vizionin e subjekteve/kandidatëve, për shërbimet dhe lehtësitë e tjera publike vendore do të ofronin në dobi të bashkisë.
KShH, me anë të vëzhguesve të tij afatgjatë, ka marrë kontakte rastësore me zgjedhës të ndryshëm në disa Bashki të vendit, ku ndër të tjerash janë pyetur për interesin e tyre për të votuar, njohur me premtimet e kandidatëve për kryetar bashkie/Këshilltarë. Në përgjithësi, vihet re një klimë e lartë apatie ndaj partive politike dhe zgjedhjeve. Zgjedhësit në Bashkitë Korçë, Kukës, Malësi e Madhe, Shkodër, Durrës, Vlorë e Fier deklarojnë se janë të zhgënjyer nga partitë politike kryesore, qeverisja qendrore dhe vendore dhe mosbesues në potencialin e alternativave të tjera, dhe se nuk do të votojnë në ditën e votimit. Sipas tyre, zgjedhjet e mbajtura ndër vite nuk kanë sjellë zgjidhje ndaj kushteve të vështira sociale ekonomike në të cilat jetojnë një pjesë e popullsisë. Kjo është arsyeja se përse shumë të rinj kanë zgjedhur të largohen, ndërkohë që mjedisi i punësimit për ta nuk është konkurrues dhe meritokratik.
Mbulimi Mediatik
Prej vitit 2009 e në vazhdim, OSBE/ODIHR ka rekomanduar të rishikohet neni 84/1 i Kodit Zgjedhor që lejon filmimet e para-regjistruara të prodhuara nga partitë politike, të transmetohen gjatë dhënies së lajmeve, gjë që krijon avantazh të padrejtë, sidomos për partitë kryesore politike. Megjithëse në vitin 2020, në Kodin Zgjedhor, u bënë mjaft shtesa dhe ndryshime, neni 84/1 mbeti po ai, i ndryshuar në vitin 2012.
Pavarësisht reagimit publik të KShH-së lidhur me këtë problematikë, vërejmë me keqardhje se, përkundrejt nevojës për plurarizëm funksional mediatik, liri editoriale dhe verifikim të informacionit gjatë periudhës zgjedhore, edhe gjatë këtyre zgjedhjeve, media rezulton se ajo ka qenë “e detyruar” apo “kushtëzuar” t’i referohet përmbajtjes së materialeve të prodhuara nga partitë politike, duke përfshirë këtu filmimet e para regjistruara, programet e disponueshme në formatet dixhitale që shkarkohen në internet (podcast), apo forma të tjera të transmetimit live. Ky konstatim është lehtësisht i evidentueshëm nga pamjet audio-vizive të transmetuara edhe në mediat kombëtare, gjatë edicioneve të lajmeve. Kjo situatë ka krijuar një mjedis vetë-censurues dhe tkurrës për lirinë e medias dhe lirinë e zgjedhjeve në vendin tonë, i cili nuk pajtohet me standartet ndërkombëtare dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.
KShH vëren se gjatë kohës televizive dedikuar fushatës zgjedhore, partitë e vogla jashtç parlamentare janë diskriminuar, pasi nuk kanë patur minutazh të dedikuar për to. AMA apo KQZ nuk ka ngritur shqetësime lidhur me këtë fenomen që privon zgjedhësit nga e drejta për t’u njohur me të gjitha subjektet garuese. Ndërkohë që Kodi Zgjedhor parashikon në nenin 78 të tij se, rregullat, kushtet dhe kufizimet e përcaktuara në të kanë qëllim garantimin e barazisë së subjekteve zgjedhore edhe në raport me marrëdhëniet e tyre me operatorët radiotelevizivë për transmetimin e veprimtarive të fushatës, mesazheve apo reklamave zgjedhore.
AMA ka monitoruar pasqyrimin e fushatës zgjedhore në mediat audio-vizive dhe bazuar në gjetjet e pasqyruara në raportet e saj, ka propozuar pranë KQZ-së masa administrative, për kompensimin e kohës së transmetimit në rastet e cenimit të raporteve kohore të barabarta për të gjitha partitë parlamentare. Këto balanca nuk janë ruajtur veçanërisht për pasqyrimin e fushatës zgjedhore në mediat private lokale. Në Bashkinë Gjirokastër, vëzhguesit raportojnë se pasqyrimi në median lokale, (RTVGJ, Apollon TV), i aktiviteteve elektorale është në favor të dallueshëm sa i takon kohës televizive, të kandidatit të PS-së dhe kryetarit aktual të Bashkisë.
Përdorimi i Aseteve Publike
Gjatë fushatës zgjedhore një nga problematikat e ndeshura ishte dhe përdorimi i aseteve publike në favor të një kandidati apo subjekti zgjedhor. Përfshirja dhe shfrytëzimi i administratës dhe burimeve shtetërore për promovimin e subjekteve zgjedhore apo kandidatëve të caktuar është në kundërshtim me nenin 91 të Kodit Zgjedhor.
Kjo dispozitë është shkelur në disa raste nga ana e subjekteve zgjedhore, e për këto raste KShH i është drejtuar Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve. Asetet publike të përdorura nga ana e subjekteve zgjedhore ishin të formave të ndryshme, duke filluar që nga shfrytëzimi i administratës shtetërore, burimeve materiale të institucioneve apo përdorimi i mjeteve të komunikimit elektronik, si një formë e re e shpërdorimit të aseteve publike e përhapur tej mase viteve të fundit.
Pranë KShH-së u raportua se Zyra Vendore Arsimore e Qarkut Korҫë, por jo vetëm, kanë kërkuar nga shkollat e mesme dhe 9-vjeçare të qarkut përkatës, informacion në lidhje me veprimtaritë e adresave zyrtare në rrjete sociale të këtyre institucioneve arsimore, ndër të tjera edhe informacion mbi numrin e ri-postimeve që adresat zyrtare të shkollave kanë realizuar nga postimet e profilit të Ministres së Arsimit dhe Sporteve. Në vijim janë arritur të identifikohen një numër i lartë ri-postimesh nga ana e disa ZVA-ve në vend, që kanë në juridiksion institucionet arsimore parauniversitare në Korҫë, Maminas, Dibër, Kamëz, etj, nga ku u vërejt se ishin ripostuar prej tyre postime të profilit personal të Ministres së Arsimit dhe Sporteve, ku pasqyroheshin veprimtari politike, në mbështetje kandidatëve të caktuar për kryetar bashkie. KShH denoncoi rastin pranë KQZ-së, duke vlerësuar si mjaft pozitiv nxjerrjen e një urdhërese nga ana e Komisionerit për ndalimin e vënies në dispozicion të adresave të rrjeteve sociale të institucioneve publike për publikimin dhe ripostimin e veprimtarive me karakter politik/elektoral në zgjedhje, nga ana e këtyre institucioneve, përbën shpërdorim të burimeve publike. Por edhe pas kësaj urdhërese, verifikimet e bëra nga KShH evidentojnë se postimet e Ministres së Arsimit vijuan të ripostohen nga ZVA dhe Shkollat Publike. KShH ju drejtua sërisht KQZ-së, duke nënvizuar rëndësinë që ka zbatimi efektiv i urdhërimeve të Komisionerit nga institucionet dhe personat që ushtrojnë funksione të larta publike sikurse janë Ministrat.
KShH ka patur raportime për përdorimin e administratës arsimore edhe në Bashkinë Gjirokastër, nga ku rezulton se, gjatë javës së parë të muajit Mars është organizuar një aktivitet masiv me mësues të të gjitha cikleve, ku janë dhënë çertifikata mirënjohje. Shumë mësues të kontaktuar kanë pohuar, pa dashur të identifikohen, se pjesëmarrja ishte e detyrueshme.
Nga monitorimi i fushatës zgjedhore në Bashkinë e Vlorës është raportuar mbi përdorimin e administratës publike, të punësuar pranë institucioneve vendore në varësi të Bashkisë Vlorë, në një aktivitet me natyrë elektorale gjatë orarit zyrtar të punës. Rasti është përcjellë nga KShH pranë Komisionerit dhe vijon të jetë nën hetim administrativ. Ndërkohë në Bashkinë e Lezhës u raportua se pajisje elektrike (gjenerator) dhe mjeti i transportit që mbante logon e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) në xhamin e parmë ishin përdorur gjatë organizimit të një aktiviteti të subjektit zgjedhor PS në këtë Bashki. Edhe ky rast i është përcjellë KQZ-së, pasi është vlerësuar në shkelje të nenit 91 të Kodit Zgjedhor.
Në Bashkinë e Dibrës është raportuar pranë KShH-së rasti i takimit që ka realizuar, në fund të muajit Shkurt, me punonjësit e Njësive Administrative në orarin e punës, Kryetari i Bashkisë Dibër, i ri-kandiduar nga subjekti zgjedhor PS. Gjatë këtij takimi janë premtuar edhe vende pune për qytetarët.
KShH ka përcjellë pranë KQZ-së sinjalizimin se aktiviteti që Komisioneri ka konsideruar si të ndaluar një ditë më parë, përkatësisht takim me Asamblenë e zgjeruar të PS të Korçë, është zhvilluar një ditë më vonë. Komisioneri i ka kërkuar KAS vendosjen e sanksionit me gjobë ndaj Kryetarit të Bashkisë Korçë si dhe personit përgjegjës për raportimin e veprimtarive publikë pranë Bashkisë Korçë. Ndërkohë KAS ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Komisionerit për vendosjen e sanksionit administrativ ndaj tyre. Ky vendim i KAS duket se legjitimon paligjshmërinë e realizimit të një veprimtarie të ndaluar me natyrë politike të raportuar si aktivitet i Bashkisë Korçë.
Të pyetur mbi perceptimet që ata kanë për përdorimin e aseteve publike në favor të fushatës, zgjedhësit në Bashkitë e Kukësit, Korçës, Malësisë së Madhe, Durrësit, Lezhës, Fierit i kanë pohuar vëzhguesve të KShH-së se punimet dhe rikonstruksionet në hapësira të ndryshme në këto bashki realizohet qëllimisht disa muaj apo javë para datës së zgjedhjeve, në favor të fushatës elektorale të kryetarëve të Bashkisë, të ri-kandiduar. Gjithashtu, zgjedhësit në këto Bashki pohojnë se kanë dijeni për hapjen e vendeve të reja të punës në administratë shtetërore rishtazi, edhe kjo për përfitime të fushatës elektorale. Ndërkohë kanë perceptimin se punësimi në administratën publike kryhet nëpërmjet një vlerësimi jo-meritokratik, por të bazuar në angazhimin e tyre partiak, sidomos gjatë fushatës. Në Bashkinë Tiranë, vëzhguesit raportojnë shtrime masive të rrugëve në lagje të ndryshme, për një periudhë afro 3 mujore, deri në pak ditë para datës së zgjedhjeve, duke vënë në pikëpyetje cilësinë afatgjate të punimeve, të cilat mbyllen për një kohë shumë të shkurtër.
Veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve
Indiferenca e qytetarëve për të raportuar krimet zgjedhore, veçanërisht të rasteve të shitblerjes së votës, si dhe mungesa e hetimeve të shpejta dhe ofrimi i mbrojtjes ndaj kallëzuesve, janë disa nga pengesat për ndëshkueshmërinë e tyre.
Të dhënat statistikore për veprat penale në fushën e zgjedhjeve dhe në mënyrë të veçantë korrupsionit zgjedhor, përgjatë zgjedhjeve të mbajtura 6 vitet e fundit në vendin tonë, tregojnë gjithashtu hetime në nivele të ulëta të organizimit politik të subjekteve zgjedhore dhe raste të pakta ndëshkimi. Të dhënat e SPAK (përgjegjës për korrupsionin zgjedhor apo veprat e tjera zgjedhore të kryera nga funksionarë të lartë), për vitet 2021-2022, hedhin dritë për një numër të lartë kallëzimesh penale, më së shumti nga subjektet politike (64%), të pasuar me kallëzimet e institucioneve publike (27%) dhe 9% e kallëzimeve janë regjistruar me nismën e vetë të SPAK.
Edhe në kuadër të zgjedhjeve vendore të dt. 14 Maj, KShH vëren se qytetarët janë indiferentë dhe rrjedhimisht nuk denoncojnë veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Për shkak të perceptimeve të larta për presion që ushtrohet mbi ta si zgjedhës, do duhet të ishin kallëzuesit kryesor pranë organit të prokurorisë. Nga takimet e realizuara në disa Bashki të Vendit, si Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Malësi e Madhe, Elbasan, Durrës, Fier, qytetarët e perceptojnë fenomenin e shitblerjes të përhapur tek bashkëqytetarët e tyre por jo tek ata vetë. Ka një perceptim më të ulët të këtij fenomeni në pjesën jugore dhe juglindore të vendit. Në Bashkitë Malësi e Madhe, Dibër dhe Lezhë, janë kontaktuar zgjedhës që kanë pohuar se para ditës së votimit ofrohen të mira materiale dhe para, në këmbim të votës. Në Bashkinë Lezhë, është pohuar se subjektet zgjedhore ofrojnë shuma parash që arrijnë vlerën 100 Euro për votën për anëtarë të Këshillit Bashkiak si dhe ka raste masive të shpërndarjes së tollonave të naftës si shpërblim për individë të ndryshëm që angazhohen në takime elektorale. Në komunitetet e pakicave etnike rome dhe egjiptiane, ky kontakt kryhet haptazi. Në Bashkinë Korçë u kontaktuan zgjedhës të Minoritetit Rom që për shkak të gjendjes së tyre ekonomike ishin të gatshëm të shisnin votën e tyre, edhe pse subjektet nuk ju ishin afruar deri në ato momente. Në pjesën tjetër të popullatës, synohen kategori të caktuara, bazuar në kontaktet familjare dhe shoqërore.
Kryetarët e partive, sipas nenit 64 të Kodit Zgjedhor, angazhohen solemnisht në kuadër të kërkesës për regjistrimin e subjektit të tyre zgjedhor, duke nënshkruar një deklaratë të detyrueshme për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës. Por fakti që ky fenomen vijon të perceptohet gjerësisht dhe se sinjalizimet në media vijojnë deri në pak ditë para zgjedhjeve, tregon se këto deklarata janë formale.
Shkelja e rregullave që garantojnë fshehtësinë e votimit nga ana e personave të ngarkuar me zgjedhjet, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim. KShH është njohur me të dhëna të sinjalizuara në terren, në Bashkinë Elbasan, sipas të cilave, pretendohet se eksponentë të lartë të subjektit zgjedhor PS i bëjnë presion votuesve duke i përcjellë informacion se ditën e votimit, vota e tyre do të jetë lehtësisht e identifikueshme. KShH ju drejtua Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, me shkresë zyrtare në dt.4 Maj, duke rekomanduar marrjen e masave të duhura parandaluese duke përfshirë këtu dhe një fushatë publike mbi sigurinë e moskryerjes së identifikimit të vullnetit të zgjedhësve, nëpërmjet votimit elektronik. Komisioneri, në vijimësi, gjatë testimit operacional për sistemin e votimit dhe numërimit elektronik u shpreh se “Pajisjet garantojnë 100 % fshehtësinë e votës së zgjedhësve. Nuk ka asnjë lloj mundësie, as kompania që ka prodhuar pajisjet, as KQZ dhe askush nuk mund të identifikojë dhe zbulojë votën e qytetarëve”.
Situata e vështirë sociale-ekonomike dhe kultura e pandëshkueshmërisë, keqpërdoret nga subjektet zgjedhore që janë të prirura për të blerë votat e zgjedhësve që janë në pamundësi ekonomike.
Sa i përket korrupsionit zgjedhor, referuar zgjedhjeve të kaluara dhe të dhënave të para të sinjalizuara në media për këto zgjedhje, vihet re se strukturat drejtuese të subjekteve zgjedhore dhe kandidatët e tyre, në të shumtën e rasteve nuk ekspozohen, por ngarkojnë persona të veçantë. Hetimet në të kaluarën nuk janë shtrirë në nivele të larta të drejtimit dhe organizimit politik, ndërkohë që për këto zgjedhje është ende herët për të arritur në konkluzione.
Sfidat e së kaluarës për hetimin efektiv të veprave penale në fushën e zgjedhjeve vijojnë të jenë aktuale edhe në rastet e pakta të denoncuara në media, për zgjedhjet vendore të dt.14 Maj. Veprimet paraprake që do t’i shërbenin organit të prokurorisë për fillimin e procedimit sipas nenit 291 të Kodit të Procedurës Penale, duhet të kryhen në afate sa më të shpejta, pasi në të kundërt prekin cilësinë e mëtejshme të hetimeve, duke sjellë zbehjen, zhdukjen apo manipulimin e provave. Vonesat në hetime (sikurse ka ndodhur) dobësojnë besimin e publikut tek organet ligjzbatuese.
Rastet e shitblerjes së votës nuk është e lehtë t’i zbulosh edhe për faktin se për ato flitet më së shumti, mbasi zgjedhjet kanë përfunduar. Kjo e vështirëson punën e prokurorisë. Nga kontaktet me KZAZ në disa Bashki të vendit, përfaqësues të subjekteve të ndryshme zgjedhore, duket se klima e bashkëpunimit është relativisht e mirë dhe nuk referohen raste konkrete të cenimit të integritetit të votës. Por pasi zgjedhjet janë mbyllur, praktika e kaluar ka treguar që drejtuesit e subjekteve zgjedhorë paraqesin akuza të rënda për shitblerjen e votës dhe krimin zgjedhor. Qasje të tilla të heshtjes gjatë periudhës parazgjedhore dhe reagimit të mëvonshëm, kur procesi është mbyllur, vendosin në diskutim edhe integritetin e vetë subjekteve.
KShH ka vijuar me vëzhgimet sistematike në terren, si dhe identifikimin dhe verifikimin e të dhënave të raportuara nga media, nga vetë gazetarët apo bazuar në sinjalizimet publike të subjekteve zgjedhore, për veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve. Janë denoncuar në media disa raste të dyshimta të shitblerjes së votës në Bashkitë Tropojë, Has, Tiranë, Himarë dhe Mallakastër (shumica e tyre vetëm pak ditë para datës së zgjedhjeve). Në vijim të këtyre rasteve, i jemi drejtuar Prokurorive të disa rretheve gjyqësore dhe Prokurorisë së posaçme (SPAK), me kërkesa zyrtare për informacion, nëse ka filluar apo jo procedimi penal lidhur me to, me kallëzim, referim apo nismën e tyre.
Prokurori i Përgjithshëm ka nxjerrë një qarkore për hetime të shpejta dhe ashpërsim të masave të sigurimit personal dhe dënimeve të kërkuara nga prokuroritë. Në një nga rastet e verifikuara në terren, kjo qarkore nuk është zbatuar sipas vlerësimit të KShH-së. Konkretisht, KShH u njoh me lajmin e publikuar në media, më 25 Prill 2023, nga ku referohet se shtetasi B.D. punonjës i Bashkisë Patos është dhunuar nga përgjegjësi i ndërmarrjes pranë Bashkisë P.P. B.D ka denoncuar publikisht përdorimin e mekanizmave ndikues në vullnetin e zgjedhësve dhe familjarëve të tij. Vëzhgues të akredituar të KShH-së, ndërmorën në dt.8 Maj 2023 një mision verifikimi në terren, nga ku rezultoi se referimi i kësaj vepre penale nga Oficeri i Policisë Gjyqësore (OPGJ) pranë Prokurorisë është realizuar nën kualifikimin ligjor të parashikuar në nenin 89 K.P. “Plagosja e lehtë me dashje”, edhe pse të dhënat e bëra publike në media, ngrenë dyshime serioze për nenin 328/a të Kodit Penal “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Pavarësisht se në media, shtetasi i dëmtuar B.D. ka pretenduar publikisht identifikimin e autorit përgjegjës, KShH konstatoi se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nuk vlerësuar të nevojshme të procedojë me ndalimin e të dyshuarit për kryerjen e një krimi, veprim procedural i parashikuar në nenin 253 të Kodit të Procedurës Penale. Në vijim të konstatimeve për këtë çështje, KShH ju drejtua Prokurorit të Përgjithshëm me shkresë për mbikëqyrjen e zbatimit të qarkores së nxjerrë, ndërkohë që konkluzionet e deritanishme të KShH-së nuk synojnë aspak të ndikojnë në pavarësinë e prokurorit të çështjes.