Rama shkarkon Ervin Bushatin, më 25 prill ishte kandidati më pak i votuar i PS-së në Tiranë

26 March 2022, 17:40Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rama shkarkon Ervin Bushatin, më 25 prill ishte kandidati më pak i

Pasi dështoi që të zgjidhej deputet në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të kaluar, megjithëse renditej i pesti në listë dhe kandidonte si kryetar i degës së PS-së për Tiranë, Ervin Bushati dështon edhe në postin ku e ‘rehatoi’ Rama pas këtyre zgjedhjeve.

Ish-deputeti socialist është shkarkuar nga posti i Drejtorit të Postës Shqiptare me vendim të Edi Ramës.

Shkarkimi i ish-deputetit është bërë ditën e premte dhe në vend të tij thuhet se është emëruar si e komanduar, Anisa Kaltanji.

Ervin Bushati u zgjodh në krye të Postës Shqiptare në shtator të vitit të kaluar, pasi nuk arriti të fitonte mandatin e deputetit në zgjedhjet e 25 Prillit, çka e detyroi që të jepte edhe dorëheqjen edhe si kryetar i Partisë Socialiste në kryeqytet.

Pasi erdhi në krye të Postës Shqiptare, Ervin Bushati u akuzua se shkarkoi disa zyrtarë me eksperiencë disa vjeçare në këtë institucion.

Arsyeja e shkarkimit mbetet ende enigmë. Ka disa zëra që thonë se shkarkimi ka ardhur për shkak të lëvizjeve të shumta që Ervin Bushati bëri në organikën e Postës, të tjerë që thonë se ai është shkarkuar në lidhje me tenderin 240 mln lekësh për fletët e Këshillimit Kombëtar.


Video