Qytetarët paguajnë partitë / 20 mln euro kosto e financimit të tyre në 10 vite

23 May 2023, 16:37Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qytetarët paguajnë partitë / 20 mln euro kosto e financimit
Selia e PD dhe e PS

Partitë politike kanë përfituar gati 20 milionë euro para nga buxheti i shtetit në 10 vitet e fundit. Sipas të dhënave të përllogaritura nga Open Data Albania, kjo shifër është ndarë për 51 parti nga viti 2011 deri vitin e kaluar. Në këtë shumë nuk përfshihet buxheti dhe financimi për fushatën e këtij viti.

16 milionë euro janë dhënë si financim vjetor për partitë, ndërsa pjesa tjetër janë para që janë akorduar për mbështetjen e tyre në fushatat elektorale të 2013-s, 2015-s, 2017-s, 2019-s dhe të 2021-t. Shpenzimet e Buxhetit si mbështetje për Partitë Politike për Fushata Zgjedhore kanë qenë në masën e 65 milion lekëve deri në vitin 2021, ndërsa në këtë vit këto transferta janë dyfishuar duke shkuar në 130 milion lekë.

Financimi publik për fushatë elektorale për Partitë Politike shkon deri në 27 për qind të totalit të financimit publik për partitë gjatë viteve 2013, 2015, 2017 dhe 2019, ndërsa në vitin 2021 përbën pothuajse gjysmën ose 47 për qind të totalit vjetor.

Mesatarisht në një vit elektoral janë transferuar nga Buxheti i Shtetit si mbështetje për partitë politike 265 milion lekë, ndërkohë që në vite jo-elektorale janë akorduar për Partitë 170 milion lekë ose 36 për qind më pak.

Të dhënat e thesarit tregojnë se Partia Socialiste ka përfituar mbështetjen më të madhe financiare, ndjekur nga Partia Demokratike. Deri në 2021, para nga buxheti përfitonin 50 parti, ndërsa në 2022 në listë u fut edhe Nisma Thurje./Vox News


Video