Ish-deputeti, Nikoll Lesi ka deklaruar se opozita duhet të dalë me vetëm një ose dy kandidatura për President, pasi sipas tij, nëse ka një numër të lartë kandidaturash kthehet në pazar, ku i jep mundësinë për "peshkim" kryeministrit Edi Rama.
Ai i ka sugjeruar opozitës dy emrat për t'i propozuar si kandidatë për President, atë të studiuesit Aurel Plasari dhe të politikanes Majlinda Bregu.
“Opozita duhet të dalë patjetër me një ose dy kandidatë për President Republike. Nuk kanë pse hallakaten me shumë emra, pasi kthehet në pazar apo çorbë ku peshkon më pas përbukuri kryeministri. Eshtë e domosdoshme që opozita të jetë serioze dhe të harrojë përçarjen apo inatet mes njeri tjetrit. Nëse ofron kandidatë potencialë dhe me integritet publik e politik, opozita i bën një shërbim Shqipërisë, por edhe vetes së saj.
Nëse do të isha deputet në Kuvend, natyrisht si përherë deputet kontestues ndaj qeverisjeve, do të firmosja pa asnjë hezitim për njerin nga dy kandidatët: Aurel Plasarin një figurë e madhe dhe e ndritur e kulturës shqiptare ose Majlinda Bregun, një politikane karizmatike, korrekte dhe me integritet, bile tashmë edhe pjesë aktive e strukturave të Bashkimit Europian. Por pa e zgjatur mund të shtojë se ka edhe emra të tjerë që mund të përzgjidhen, por duhen edhe votat e PS, ndaj duhet gjetur emra përbashkues, që të votohen nga PS. Pra opozita dërgon dy kandidatë që t’i lerë mundësinë mazhorancës të zgjedhë mes dy emrave”- tha ish-deputeti Lesi për "folshqip"