Pjesëmarrja e ulët dhe përçarja e votës opozitare mund t’i japë Shkodrën PS-së

6 March 2022, 19:26Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Pjesëmarrja e ulët dhe përçarja e votës opozitare

Të dhënat paraprake nga Komisionit Qendror i Zgjedhjeve tregojnë një pjesëmarrje të ulët në zgjedhjet e pjesshme vendore për gjashtë bashkitë, ku në Dibër u regjistruar pjesëmarrja më e madhe dhe në Durrës më e vogla.

Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, në Dibër votuan rreth 42 për qind e votuesve, në Durrës rreth 26 për qind, në Lushnje rreth 36 për qind e tyre, në Rrogozhinë rreth 29 për qind, në Vorë rreth 39 për qind dhe në Shkodër 27 për qind.

Sipas këtyre shifrave, pjesëmarrja mesatare në të gjashta bashkitë është më pak se 30 për qind. Por, kë favorizon pjesëmarrja e ulët? Në të gjitha proceset zgjedhore, historia ka treguar se pjesëmarrja e ulët favorizon partinë në pushtet, në këtë rast Partinë Socialiste.

Pse? Kjo është provuar të paktën në dy zgjedhjet e fundit të përgjithshme. Në 2017-n u regjistrua për herë të parë numri më i ulët i votuesve në vend dhe PS siguroi e vetme mandatin e dytë. Në 2021, rekordi u thye sërish, ku përqindja e atyre që votuan në raport me numrin total të votuesve ishte më e ulët se në 2017-n.

Edhe në 2021 socialistët u konfirmuan në qeverisje për mandatin e tyre të tretë. Edhe në këtë rast, pjesëmarrja e ulët favorizon PS-në, sidomos në Durrës, sepse shifrat tregojnë që asnjëri prej dy kandidatëve të opozitës nuk ka qenë në gjendje që të tërheqë me vete jo vetëm elektoratin gri, po siç duket deri më tani as vetë mbështetësit e Partisë Demokratike.

Ky është njëri faktor që favorizon socialistët, faktori tjetër që mund të jetë edhe më vendimtar dhe ndoshta t’u japë për herë të parë Bashkinë e Shkodrës është përçarja e votës opozitare. Kjo përçarje dhe pjesëmarrja e ulët (rreth 27 për qind e votuesve në Bashkinë e Shkodrës) nuk favorizon as Xhemal Bushatin e PD-së dhe as Bardh Spahinë e Shtëpisë së Lirisë.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video