Ministri i Jashtëm grek e thotë hapur se do bllokojë Shqipërinë në BE për shkak të Belerit

13 September 2023, 19:19Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ministri i Jashtëm grek e thotë hapur se do bllokojë
Georgos Gjerapetritis

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgos Gjerapetritis ka folur sërish për çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili ndodhet në burg prej 12 majit me akuzën e blerjes së votave.

Këtë herë, ministri grek ka qenë edhe më i qartë kur ka nënkuptuar se vendi i tij do të bllokojë rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ai ka thënë gjatë një konference në Athinë se Greqia nuk mund të pranojë vende kandidate që nuk përmbushin kriteret e anëtarësimit dhe parimet bazë të BE-së, si demokracia dhe shteti i së drejtës, duke nënkuptuar Shqipërinë.

I pyetur për Belerin, Gjerapetritis tha se arrestimi dhe mbajtja në burg e tij, “përbën një devijim nga e drejta evropiane”, si dhe “shkelje të qartë të të drejtave politike të zotit Beleri, shkelje të prezumimit të pafajësisë dhe të shtetit ligjor”.

“Rasti i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Himarë, Fredi Belerti, mendoj se përbën një devijim nga e drejta evropiane. Është lajthitje, përderisa një kryetar i zgjedhur për pushtetin vendor, nuk ka mundur të marrë përsipër detyrat e tij, sepse nuk është lejuar, të betohet dhe të marrë përsipër detyrat e tij.

Kjo, nga pikëpamja e vendit tonë dhe nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare, përbën shkelje të qartë të të drejtave politike të zotit Beleri, shkelje të prezumimit të pafajësisë dhe të shtetit ligjor”, u shpreh ministri grek.


Video