“Të hiqet urgjentisht dorë nga kjo përpjekje e pashpresë, dhe të zbatohen pa vonesë rekomandimet e FMN-së dhe të BE-së, duke u kërkuar ndjesë të gjithë shqiptarëve të ndershëm për këtë provokim të pamerituar.”
Ky ishte ultimatumi i sotëm i presidentit Ilir Meta ndaj Qeverisë lidhur me projektligjin për amnistinë fiskale, ku listonte argumentet e sjellë nga KE-ja, ku ndër të tjera thuhej se do të dobësoheshin kontrollet e Shqipërisë kundër pastrimit të parave, do të forcohet bota e krimit dhe do të goditet biznesi i ndershëm.
Por, a do jetë vërtet Meta në mbrojtje të interesit të shqiptarëve dhe të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë apo edhe kjo është thjesht një presion me qëllim përfitim nga ana e tij?
Mjafton të kujtojmë ndryshimet dhe shtesat në vitin 2018 në ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat” ku pjesë e tij parashikohej edhe shpërndarja e dividentit. Në çdo dalje publike Meta rendiste argumentat se ky ligj ishte në shkelje të Kushtetutës dhe zotohej se do e çonte në Gjykatën Kushtetuese dhe në SPAK.
Mirëpo, asnjë prej këtyre veprimeve nuk i pamë të bëheshin nga ana e kreut të shtetit. Çfarë e pengoi Metën të ndërmerrte këto veprime që ja lejon dhe ligji nuk dihen, por dyshimet e forta janë se -mund të ketë ndodhur për arsye kleinteliste pasi Presidenti familjarisht është i shquar për lidhje të tilla.
Ky është vetëm një shembull në rastet e shumta që Ilir Meta ka ulur tonet dhe është bëre bashkëpunues në shkelje të hapur të ligjeve.
A mos ndoshta radha është edhe për amnistinë fiskale, ku presidenti pasi të marrë “këstin” e radhës të ulë tonet me Qeverinë dhe të harrojë ultimatumet e dhëna dhe argumentat kundër saj? Këtë gjë do e tregojë koha.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.