
Dy gjysmat e Partisë Demokratike, të cilat që të dyja pretendojnë se përfaqësojnë partinë zyrtare u përplasën këtë të shtunë se cila prej tyre po promovon në radhët e demokratëve ish-aktivistë të LSI-së.
“Demokratët refuzojnë farsën e zgjedhjeve të Sali Berishës. Ato jo vetëm janë përjashtuese po në vend të tyre po zgjidhen në poste drejtuese ish-funksionarë të LSI. Njëri ndër ta është Santiliano Dule, i cili në zgjedhjet e 25 prillit, siç e tregon dhe statusi i tij, ka qenë pjesë e fushatës së kandidatit të LSI. Sot Sali Berisha ka injoruar kontributin e gjithë demokratëve të Beratit, që kanë punuar e sakrifikuar për Partinë Demokratike dhe u ka emëruar kryetar grupseksioni në Berat nga LSI. Kjo është mënyra se si po veprohet kudo, përjashtuese dhe jo-përbashkuese”, shkruhej në faqen zyrtare të Partisë Demokratike, që kontrollohet ende nga njerëzit e Bashës.
Postimi shoqërohej me disa dokumenta, mes të cilave edhe një postim i Santiliano Dules, teksa mbështeste fushatën e kandidatit të LSI-së në Berat, Ardit Çelës.

PD-ja e Rithemelimit iu përgjigj me anë të Belind Këlliçit, që postoi dokumentin e anëtarësisë së Santiliano Dules, të dhënë me firmën e Lulzim Bashës.
“Sot kanë nxjerrë një fletërrufe të radhës drejtuar një tjetër demokrati, Z. Santiliano Dule, kryetar i zgjedhur i Grupseksionit nr.1 Berat. Qenkan mërzitur bunkeromanët se në PD ka zgjedhje dhe vendoset me votë. Preferojnë emërimet, se ashtu janë mësuar. Sakaq Z. Santiliano Dule i uroj suksese! Po ju tregoj kartën e tij të anëtarësisë në Partinë Demokratike, e nënshkruar nga deputeti Basha, asokohe kryetar. Përpara për një PD më të bashkuar, më të fortë, më të hapur!”, thotë ai.
