Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit Flamur Noka një ditë më parë në , i cili u shpreh se Basha dhe Bardhi u vendosnin gjoba oligarkëve duke përfituar prej tyre.
Përmes një statusi të gjatë në faqen e vet në Facebook, Bardhi i cilëson deklaratat e Nokës shpifje të porositura ndaj tij, ndërsa thekson se në të gjithë jetën e tij politike nuk ka pasur asnjëherë kontakt me oligarkë apo përfaqësues të botës së krimit.
Bardhi akuzoi deputetin Flamur Nokën se shoqërohet me trafikantë droge që kanë mbushur Britaninë me lëndë narkotike dhe pastruan lekët në Shqipëri. Ky personazh, që Bardhi nuk e bën publik emrin, sipas tij mori në qafë edhe Sali Berishën.
“Kujt i paskam vendosur gjobë unë, mikut tënd trafikant droge, që sa ishe ti ministër i brendshëm mbyti Britaninë me drogë dhe, më pas, vendosi të pastrojë paratë e drogës me pasuri të paluajshme? Meqë rri shpesh për dreka e darka, Flamur Noka mund ta pyesë vetë edhe atë.
Dhe meqë jemi në këtë pikë, është një rast për të sjellë ndërmend se me këtë mikun trafikant droge mori në qafë edhe Sali Berishën, duke i veshur damkën për lidhje me përfaqësues të krimit të organizuar. Në gjithë karrierën politike nuk ka ndodhur kurrë të kem qoftë edhe një kontakt të rastësishëm me ndonjë oligark apo përfaqësues të botës së krimit.
Kur kam hyrë në politikë me besimin tek njerëzit e zakonshëm, tek ata do të mbështetem deri në ditën time të fundit në politikë. Prandaj, sot jam njeri i lirë dhe nuk jam peng i askujt, aq më pak i oligarkëve dhe kriminelëve” thotë Bardhi.