Sulmi kibernetik, Balluku dhe drejtoresha e AKSHI-t: 98% e shërbimeve funksionale, nuk pati asnjë humbje të dhënash

29 July 2022, 17:25Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sulmi kibernetik, Balluku dhe drejtoresha e AKSHI-t: 98% e shërbimeve
Belinda Balluku dhe Linda Karçanaj

Zv.kryeministrja, Belinda Balluku, drejtorja e AKSHI-t Linda Karcanaj dhe përfaqësuesi i skuadrës speciale të Microsoft për sigurinë kibernetike, Kevin Chin kanë dalë ditën e sotme në një deklaratë për mediat ku kanë dhënë detajet lidhur me sulmin kibernetik ndaj portalit qeveritar e-albania.

Balluku e ka konsideruar këtë si një luftë të mirëfilltë, teksa konfirmoi bashkëpunimin me Microsoft dhe me FBI-në

"Ky është komunikimi i parë pas agresionit masiv. Sot jam me drejtoreshën e AKSHIT dhe me përfaqësues të Microsoft-it. Ky agresion është një luftë e mirëfilltë Do monitorojmë situatën. Sistemet po rikuperohen dhe po kthehen në normalitet. Vigjilenca jonë është maksimale. Dje, ka patur një takim tjetër të komitetit për mbrojtjen kibernetike. U lanë detyra për të gjithë aktorët e fushës dhe janë marrë vendime për bashkëpunime me Microsoft por edhe FBI që na dha mbështetjen që ditën e parë apo dhe shërbime të tjera inteligjente" tha Balluku.

Drejtoresha e AKSHI-t Linda Karçanaj deklaroi se 98% e shërbimeve online janë rikthyer në funksion pas sulmit kibernetik që pësuan faqet qeveritare pak ditë më parë. Ajo tha se asnjë e dhënë nuk është fshirë ndërsa theksoi se ishin dy lloje sulmesh.

“Administrata publike i është rikthyer normalitetit dhe procesit të punës hap pas hapi. Është izoluar aktiviteti keqdashës. AKSHI po punon me partnerët e microsoftit. Ky sulm nuk kishte ndodhur ndonjëherë në historinë e vendit tonë. Ishin dy lloje sulmesh. Aktiviteti i parë ishte një lloj Rowsomere që ka për qëllim marrjen e të dhënave kundrejt një pagese. Por në këtë rast kjo ishte për të larguar vëmendjen nga qëllimi i vërtetë të sulmit për fshirjen e të dhënave. Nuk pati humbje të dhënash falë reagimit të shpejtë. Janë zbatuar protokollet dhe politikat ndërkombëtare të sigurisë kibernetike. Sistemet u verifikuan një nga një që të ishim të sigurt për çdo element para se të ktheheshin online.

Faqet zyrtare të ministrive dhe sistemi i fiskalizimit u rikthyen në funksion brenda 12 orësh. DPSHTRR po ashtu, drejtoria e Doganave, Fondi me recetën elektronike. Mbi 98% e shërbimeve online janë tashmë funksionale. Katër ditë pas sulmit E-Albania u kthye në shërbim për një pjesë të shërbimeve”, deklaroi ajo.

Balluku gjithashtu bëri me dije se do kryhet një hetim i thellë i sulmit kibernetikë.

"Prezenca e skuadrës DART ka qenë jetike për ne. Gjej rastin të falënderoj Jones Group. Bëhet fjalë për një atak masiv të cilët që kur i kemi pyetur specialistët kanë thënë që ka qenë i mirë përgatitur dhe jo anonim. Na duhet një hetim i thellë i gjithë sulmit kibernetik.  Ky nuk është një moment për te përdorur politikisht ka prekur qytetarët dhe ka shqetësuar partnerët. Shqipëria është vënë në shënjestër dhe ky atak ka krijuar një sërë problematikash. Vetëm në 4 ditë kemi pasur rikthim rreth 80% të këtyre shërbimeve. Ne po marrim një sërë masash dhe ky është një mësim për AKSH-in dhe të tjera për të na treguar pikat tona të dobëta. Po bëjmë një skanim të forcave dhe për të dalë më pas në rezultate qoftë në reformim qoftë në mburoja që do të na duhen për të ardhmen."- tha Balluku


Video