Partia Socialiste hodhi poshtë pretendimet e Partisë Demokratike në lidhje me komisionerët zgjedhorë dhe rolin e tyre në procesin e zgjedhjeve për Bashkinë e Vorës.
“Procesi ka vijuar normalisht dhe ne kemi zbatuar Kodin Zgjedhor, ku edhe nëse nuk plotësohet kuorumi procesi vijon dhe kuorumi plotësohet brenda një afati të arsyeshëm. Komisionet funksionuan normalisht dhe me shtatë anëtarë”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.
Gjiknuri tha se përplasja tregon se PD e ka të vështirë të gjejë edhe komisionerë, ndërsa deklaroi se roli i tyre në Vorë, ku ishte identifikimi dhe votimi elektronik ishte minimal.
Ky incident, sipas Gjiknurit, është sinjalizues se duhet adresuar në Kodin Zgjedhor rekomandimi i OSBE për depolitizimin e administratës zgjedhore dhe për Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, kjo duhet bërë që me reformën që pritet të ndërmerret në Kuvend.