
Duke u nisur nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, fitorja e Partisë Socialiste në Bashkinë e Vorës ishte e pritshme, por ajo që nuk pritej e parashikohej dot nën zhvillimet e reja brenda Partisë Demokratike pas shtatorit ishte diferenca.
Rezultati ka dalë dhe ai na jep dy lajme. Lajmi i parë është që nëse Berisha e Basha do të ishin bashkë në këto zgjedhje, nuk do të plotësonin dot as gjysmën e votave të kandidatit të PS-së.
Sepse sipas rezultati, kandidati socialist ka marrë rreth 7500 vota, ndërsa dy kandidatët e Berishës dhe të Bashës bashkë kanë rreth 3200 vota (rreth 2500 vota kandidati i Berishës dhe rreth 700 vota ai i Bashës).
Lajmi i dytë nga Vora lidhet me garën e brendshme brenda Partisë Demokratike. Nëse këto zgjedhje janë një test se kush është opozita e vërtetë, Sali Berisha e ka dërrmuar Lulzim Bashën. Me 700 vota të siguruara në Vorë, PD zyrtare është katandisur në një parti memesh dhe në një meme që po qarkullon në rrjet votat e kandidatit të Bashës krahasohen me votat e një kryeplaku fshati.