Më 30 Prill të këtij vitit, shumë prej nesh u surprizuan kur panë emrin e mjekut epidemiolog Ilir Alimehmeti në listën e kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe më pas zgjedhjen e tij si anëtar i këtij Këshilli.
Kjo, për faktin se deri në atë ditë, Alimehmeti ishte një ndër mjekët që u njoh nga publiku gjatë kulmit të pandemisë COVID-19 dhe nuk ishte përzierë asnjëherë me politikën apo të bënte statuse politike në rrjetet sociale.
Por, që prej zgjedhjes si anëtar, ai nuk ka munguar në asnjë prej mbledhjeve të Këshillit Kombëtar të PD-së, e kemi parë shpesh herë gjatë tryezave të bashkëbisedimit të Berishës dhe së fundmi edhe me dalje televizive dhe statuse në rrjetet sociale ku flet mbi Partinë Demokratike dhe keqqeverisjen.
Ditët e fundit, emri i tij po përflitet si një kandidat i mundshëm i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës për zgjedhjet që mbahen vitin e ardhshëm dhe sot ishte një ndër zërat kryesorë në protestën e pedagogëve.
Por, a ishte një rastësi futja e mjekut Ilir Alimehmeti në politikë dhe rreshtimi në krah të Sali Berishës?
Jo. VoxNews.al ka mësuar se mjeku Alimehmeti rrjedh nga një familje e lidhur ngushtësisht me politikën dhe në veçanti me PD-në e Berishës. Ai është djali i një ish-deputeteje të Partisë Demokratike.
Jera Kruja, e ëma e Ilir Alimehmeti ka qenë deputete në legjislaturën e III të Kuvendit të Shqipërisë gjatë viteve 1996-1997 nga radhët e PD-së dhe po ashtu ka kandiduar për deputete dhe në zgjedhjet qendrore të Qershorit të vitit 2009 duke u renditur e 28-ta në listën e Partisë Demokratike për Qarkun e Tiranës, raporton VoxNews.
Po ashtu, Jera Kruja ka mbajtur dhe poste si shefe e Shërbimit Universitar të Neurologjisë në QSUT si dhe rektore e Universitetit të Mjekësisë.
Mjeku Alimehmeti është emri i parë që përflitet si kandidat i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës dhe siç duket ai po përfiton dhe nga miqësia e prindërve të tij me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe duket se do të ecë në gjurmët e të ëmës në politikë.
Por, me një kandidat si Alimehmeti, Erion Veliaj duket se do e ketë shumë të lehtë garën për ta fituar për herë të tretë Bashkinë e Tiranës. Kjo për faktin se në radhë të parë PD është e përçarë në dy apo tre pjesë dhe e dyta një kandidat si Alimehmeti nuk ka staturë politike.
Po ashtu, nëse do jetë ai një kandidat për Bashkinë e Tiranës, primaret do të rezultojnë fiktive dhe duket se do të ketë zhgënjim edhe brenda radhëve të demokratëve të Berishës kur kandidatët e tjerë në primare të kuptojnë “lojën”.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.