Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi në një takim në Mirditë se nuk ka krim më të shëmtuar se të arredosh zyrën me 200 mijë euro. Berisha tha se Belinda Balluku e cila u bë zv/kryeministër, e ka zyrën prej 200 mijë eurosh ndërsa shtoi se nuk do ta lejojnë më Ramën të ketë avion në dispozicion.
“Ne nuk do të arredojmë zyrat me 200 mijë euro. A ka krim më të shëmtuar. Kjo që u bë zv/kryeministre, Balluku, 200 mijë euro zyrën. Nuk do shëtisë Rama me aeroplan në dispozicion. Qeveria austriake kur isha unë kryeministër, e kishte të ndaluar për ministrat të udhëtonin me bussines class, por economy. Austria i ka rrogat 8 herë më të larta se ne”, tha Berisha.
Berisha ka sulmuar edhe Lulzim Bashën. Berisha e akuzon Bashën se krijoi mitin e pathyeshmërisë së kryeministrit Edi Rama.
Berisha u shpreh se Basha kërkonte që ta imitonte në fushata Ramën dhe donte të bëhej lider si ai.
“Lulzim Basha krijoi mitin pathyeshmërinë e Edi Ramës. Kur ai arrestonte dhe mbillte frikën, i kërkoja Bashës që të ngrihemi dhëmbë për dhëmbë. Së dyti, ai bënte fushatën. Në fushatë thjeshtohen gjërat. Ky, e ka mahni 2 metra, ndërsa ky i hollë. Është reale, njerëzit mendonin se do fitonte Rama. Ne dilnim me një ekip.
Ky e imitonte dhe donte të bëhej si ai lider. Ai është mundur në vitin 2007 në zgjedhjet lokale, në 2009 në zgjedhjet e përgjithshme dhe në 2011 në Bashkinë e Tiranës. Mundet dhe do mundet padiskutim. E shihni ju se si është çekuilibruar. Miti i tij do bëhet pluhur.
Si do ja bëjmë? Do ja bëjmë që t’ia arrijmë. Duhet një punë e jashtëzakonshme për ata që nuk e kanë ndarë mendjen akoma. Për ata që nuk janë të bindur se do fitojnë me Sali Berishën. Problemi me ata është ndryshe. Në kafene, në shtëpi, në oborr e në bahçe.
Ne nuk po i mashtrojmë ata. Nuk shpikim, nuk krijojmë asgjë. Shprehim hallet e mëdha të këtij vendi. Ju siguroj që kur secili prej nesh ta bëjë këtë punë, ne do krijojmë një shumicë plebishitare si në vitin 1992. Do japë llogari për ato që ka bërë” – tha Berisha.