Kryeministri Edi Rama thotë se Bashkimi Europian po përgatit një paketë të madhe për ndihmë financiare ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, në kuadër të kësaj u organizua edhe takimi i sotëm në Tiranë mes liderëve të rajonit.
Në një konferencë me gazetarët pas takimit, Rama tha se nga ndihma financiare aktuale kanë përfituar vetëm vendet anëtare, duke thelluar kushtu hendekun me shtetet ballkanike.
“Ne jemi në një përpjekje si Shqipëri për të nxitur një mënyrë të re të të parit të gjërave, në raport me Ballkanin Perëndimor, në aspekt të hendekut që ekziston përmes vendeve anëtare, sidomos pas goditjeve të njëpasnjëshme të ekonomisë, që kanë bërë që BE të shpërndajë fonde shumë të konsiderueshme për vendet anëtare, dhe kjo e ka zgjeruar hendekun mes nesh dhe vendeve anëtare”, deklaroi Rama.
I pyetur për projektet dhe sasinë e parave që BE planifikon të japë, Rama tha se është ende herët për të folur për detaje të tilla.
“Duke marrë parasysh këtë pasojë dhe kontekstin e përgjithshëm, dhe të gjitha sfidat që sot janë të përbashkëta, ne jemi përpjekur edhe duke ndihmuar të tjerët që të krijojmë një tjetër qasje. Që do të thotë paralelisht me procesin e negociatave, të kemi një mbështetje ekstra financiare. Kjo është diçka që ka filluar të formësohet, dhe një plan i mbështetjes ekonomike të BE-së është duke u përgatitur. Vendet e BE-së duhet të mbështeten më shumë financiarisht, dhe si mund t’i hapen disa shtigje më shumë në treg pa pritur që të anëtarësohen në BE. Nuk mund të flasim për detaje sepse ky plan është ende në diskutim. Ndërkohë që jemi shumë herët për të diskutuar se sa dhe pse një vend apo një vend tjetër do të marrë”, u shpreh Rama.
I pyetur për mungesën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, Rama u përgjigj shkurt.
“Ishin të gjithë të ftuar, kush deshi erdhi, kush mundi nuk erdhi”, tha kreu i qeverisë shqiptare.