Deputeti i PD dhe përfaqësues i Shtëipisë së Lirisë, Flamur Noka gjatë një reagimi për media ka thënë se anëtarët e komisioneve zgjedhore duhet të jenë banorë të njësive ku zhvillohet votimi.
Noka i është përgjigjur akuzave të nënkryetares së PD, Jorida Tabaku, e cila ka deklaruar më herët se komisionerët e PD nuk janë lejuar të futen në qendrën e votimit duke bërë përgjegjës, Shtëpinë e Lirisë dhe PS.
Në lidhje me akuzat, Noka i ka mohuar duke u përgjigjur se shoqata e bravave është në mjerim pasi nuk ka përfaqësues dhe po mundohet të sjellë punëtorë të call center-ave të kunatit të Bashës për t’i përfaqësuar.
“Nuk mund të jetë përfaqësues një person që nuk është banor i bashkisë. Ka patur kohë sa të dojë për të zgjedhur komisionerin, por mendoni në çfarë mjerimi janë nuk gjejnë dot komisionerë dhe thonë duam vota. Nuk ka faj Shtëpia e Lirisë se të gjithë demokratët janë tek Shtëpia e Lirisë. Shoqata e bravave nuk ka përfaqësues dhe mundohet të sjellë si përfaqësues punëtorë të call center-ave të kunatit. Faji është i shoqatave të bravave. Në fund do të bëhen publike të gjitha shkeljet”, tha Noka.