
Lulzim Basha akuzon Partinë Socialiste se po blen votat e fermerëve lushnjarë përmes tollonave të naftës, një akuzë që më shumë tingëllon si një alibi në rast humbjeje, se sa fakt në terren.
“Sa herë afrojnë zgjedhjet nga paratë që u ka vjedhur u hedh ndonjë kockë. Tollonat e naftës janë vetëm një grimcë që u ka vjedhur juve. Për tu mbajtur të lidhur u hedh një pjesë të parave që u ka vjedhur dhe që të vazhdojë pastaj t’ju vjedhë. Këtë të diel jam i bindur që Rama do ta marrë përgjigjen nga fermerët e Lushnjes”, u shpreh ai.
Lulzim Basha kërkoi votën e fermerëve duke u premtuar se do të çlirojë tregun ushqimor, që sipas tij e ka kapur banda e Lushnjes.
“Kryetari i bashkisë ose do jetë skllav i bandës së Lushnjes si e kanë provuar këto që kanë qenë. Ose do jetë dikush që do sjellë ndryshimin e parë që të paktën tregun e Lushnjes t’ia kthejë lushnjarëve fermerëve lushnjarë. Natyrisht që asgjë nuk do të zbresë nga qielli. Gjëja e parë që do ndodhë është që tregu i Lushnjes do çlirohet. Ndaj këtë të diel e keni vetë në dorë”, deklaroi Basha.
Kreu i PD-së akuzoi Qeverinë se jo vetëm që nuk ka ofruar asnjë ndihmë për fermerët, por i ka penalizuar ata.
“Para se të fillonte lufta në Ukrainë kishte filluar një luftë e heshtur prej vitesh pre 2014 që është lufta e naftës më të shtrenjtë në Europë. Të parët që e ndiejnë këtë janë fermerët. Sepse nafta përkthehet në koston e çdo produkti që ju bleni. Të plehrave kimike, pesticideve gjithçka. Konkurrenca e pandershme me një doganë të pluhurosur të korruptuar. Dhe e fundit aksesi në treg. Në këto 8 vite ky e katandisur Shqipërinë si në mesjetë. Gjobë pas gjobe sa të arrish ti në treg”, vijoi ai.