Analisti Artan Hoxha që vite më parë ishte një kandidat për President, ishte i ftuar nga Blendi Fevziu në lidhje me situatën politike.
Hoxha komentoi pretencën e prokurorisë me 8 vite burg për ish-ministrin Saimir Tahiri, duke thënë se me gjasë organi i akuzës nuk do të arrijë të bindë gjykatën.
“Për Saimir Tahirin e akuzuar, unë jam me të”, tha analisti Hoxha duke shtuar se “Tahiri është vetëm një i dyshuar, pasi prokuroria s’ka arritur të mbledhë prova për të bindur gjykatën përtej dyshimit të arsyeshëm”.
“Unë konstatoj që prokuroria ka mbetur në nivelin e dyshimit të arsyeshëm dhe nuk po e kalon dot kufirin e nevojshëm në gjykatë, që është përtej dyshimit të arsyeshëm. Nëse gjykata nuk bindet përtej dyshimit të arsyeshëm, ai person është i pafajshëm. Prokuroria s’ka mbledhur dot prova që ta plotësojë dyshimin për të bindur gjykatën, mund të ndodhë kjo, që nuk ka dashur, nuk ka mundur, nuk ka ditur. Kjo që them me bindje sot Tahiri është vetëm një i dyshuar”, deklaroi analisti Hoxha në emisionin “Opinion”.
Më tej, për të theksuar dobësinë për Tahirin, Hoxha tha se me gjithë problemet që ka pas ish ministri i Brendshëm, ai ishte një personazh politik që përballej dhe pranonte debatin.