Ambasadorja e BE tregon pse u anulua granti 28 mln euro për Portin e Durrësit

25 November 2022, 16:45Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Ambasadorja e BE tregon pse u anulua granti 28 mln euro për Portin e
Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann ka vizituar zonat e përmbytura në Shkodër, ku ka qenë e pranishme në zonën e Obotit së bashku me kryebashkiakun Bardh Spahia.

Në një prononcim për gazetarët, Hohmann u shpreh se Shqipëria tashmë është pjesë e mekanizimit të mbrojtjes nga përmbytjet në BE dhe se BE është aty për t’i ndihmuar në mënyrë që të zhvillohen kapacitete në mënyrë që të reagohet sa më shpejt.

Diplomatja europiane vuri theksin te masat që duhet të merren për parandalimin e tyre, ose të paktën minimizimin sa të jetë e mundur të pasojave nga përmbytjet.

"Sot jemi në Shkodër. Kemi ardhur në zonën që ka pësuar katastrofë dhe humbje nga përmbytjet e fundit. Jemi për të parë situatën e familjeve. Jemi këtu për të folur për mbrojtjen e familjeve. Çdo euro e investuar në parandalim kursen 100 euro të tjera të investuar në pastrim pasi të ketë ndodhur katastrofa. Mbajtja pastër e kanaleve të kullimit, pastrimi i tyre para kohe është një masë shumë e rëndësishme që të parandalohet kjo përmbytje, por natyrisht nuk është e mjaftueshme siç mund ta shohim. Edhe bashkia Shkodër ka bërë kërkesë të marrë imazhe, pamje satelitore në mënyrë që të kuptojë situatën në komunitet. BE është këtu nuk u ikën problemeve. Jemi këtu për t’ju ndihmuar në mënyrë që të zhvilloni kapacitete në mënyrë që dhe ju të reagoni sa më shpejt. Në çdo zonë ashtu si në të gjithë Shqipërinë duhet të shihen me përparësi investimet që parandalojnë përmbytje. Në të gjithë bashkë mund të bëjmë më mirë." - tha diplomatja evropiane.

Ambasadorja Christiane Hohmann ka folur dhe mbi anulimin e granitit 28 milionë euro nga BE që ishte vënë në dispozicion nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, me qëllim rikonstruksionin e Kalatave 1 & 2, në Terminalin Perëndimor të Portit të Durrësit. Ajo deklaroi se ky vendim ka ardhur për shkak të ndryshimit të kushteve të investimit.

"Është një përgjigje shumë e thjeshtë, ajo që dhamë edhe disa ditë më parë, sa herë që ka ndryshim të kushteve të investimit, ndryshim të dhënies të granteve të investimit, atëherë kjo anulohet. Kjo nuk do të thotë se ne nuk jemi në komunikim për të kuptuar se ku mund të jenë investimet për tu bërë". - deklaroi Hohmann.

Kujtojmë se ky vendim vjen në një kohë kur qeveria po kalon në mënyrë të përshpejtuar në parlament projektin e ri për transformimin e portit. 


Video