TIRANË – Zëvendësministrja e kreut dhe njëherësh ministre e Kaskadës, Rreshjeve dhe Rrufeve, Bella Ballukja, paralajmëroi të premten në një konferencë për shtyp, se mbledhja e qeverisë vendosi që të shtunën do të binte shi. Dhe kështu ndodhi: Parashikimi që la pa fjalë gjithë Ballkanin u vërtetua.
Patronazhisti mëson se gjatë mbledhjes së kabinetit, ministret Ballukja, e ndihmuar edhe nga koleget Kumbaraja dhe Margarina kthyen filxhanët dhe panë fatin e javës për gjithë sektorët. Çuditërisht, të gjithëve janë duke u dalë parashikimet.
Konkretisht, ministres së Jashtme Gjaqka i doli në filxhan se së shpejti ka për të bërë rrugë jashtë shtetit. Ministrit të Brendshëm Çuçja i ndriti fati, se siç ja përshkroi Ballukja: “Ja, këtu poshtë më del një grua, një femër guximtare që të hap rrugën. Emri i fillon me Delina. Ka qenë e lidhur me një të madh, po tani po i pëshpërit atij fjalë të mira për ty”.
Ministrin e Mbrojtjes Piko Meleshi fati e paralajmëroi se së shpejti do t’i dilte shkolla e lartë, megjithëse të mesmen e kishte marrë me korrespondencë. Ndërsa Ministres së Bujqësisë Frika Drifca i doli filxhan i vështirë. “U moj korbë,” i qau halli Ballukja, “javë të zorshme ke përpara. Këtu thotë që do merresh gjithë ditën me fshatarë e katundarë, me njerëz pa nivel”.
Ndërkaq, të gjithë ministrave pa përjashtim u doli në filxhan se do marrin një haber nga qeveria.
***
Aftësia parashikuese e Bellës ishte çudia e dytë në historinë e fallxhorëve të politikës shqiptare, pasi i dërguari i Sigurimit në Presidencë Lilo Metushi, bëri parashikimin e famshëm të tërmetit, që menjëherë më pas u pasua nga… dy tërmete. Këto lloj aftësish, që po nxjerrin jashtë tregut dhe po lënë pa punë Zonjën Meri dhe interpretuesin e shquar të horoskopit Jorgo Pulla, janë bërë kriteri kryesor për përzgjedhjen e politikanëve dhe drejtuesve të rinj.
Kështu, gara e kandidatëve primarë për bashkitë sekondare të PD-së është ngritur në një nivel të ri, pikërisht me hyrjen në lojë të kandidatëve parashikues. Surpriza më e fundit ishte kandidimi për bashkinë primare demokrate të Tiranës, të avukates Handriana Kalata, e cila deklaroi se motoja e fushatës së saj ishte “Unë parashikoj që Tirana rregullohet vetëm me tritol”.
E pyetur nëse vërtet kishte ndërmend që të hidhte në erë ata që do ta votonin, Kalata sqaroi: “Kur them se do rregulloj Tiranën me tritol, e kam llafin që në detyrën time do më ndihmojë demokrati veteran, mjeku Tritol Shehu”.
Një tjetër magjistar që kërkon të kandidojë për Tiranën është opozitari konservator Kujtim Gjiza. Ai u bëri thirrje demokratëve të thjeshtë ta propozojnë emrin e tij, teksa njoftoi socialistët: “Ata të majtë që më shajnë, i kam falur. Atyre të djathtëve që nuk duan të më kandidojnë, unë u them: M’u prish gjiza”.
***
Megjithatë, parashikuesja më e aftë deri tani mbetet Bella Ballukja. Nga burime të sigurta në Pallatin e Ëndrrave, Patronazhisti ka mësuar se këtu e një vit më parë, ish Tigri zëvendëskryeministër rindërtues Ahmet Arbenaj i ishte lutur Bellës t’i shihte filxhanin, pasi seç kishte një parandjenjë të keqe.
Pasi rrufisën në heshtje një turke të mesme, Bella përmbysi filxhanin, priti pak dhe nisi ta lexojë: “Tigro, vendin e punës e ke të sigurtë, s’ta prek njeri. Këtu më thotë që aq sa ka shanse Ermal Mamaqi të mësojë shkrim e këndim, aq gjasa ke edhe ti të të heqin nga zëvendës i Edit!”
Tigri u qetësua goxha atëherë. Një vit më pas, lajmi mori dhenë se Ermali jo vetëm që kishte mësuar shkrim e këndim, por ishte duke shkruar një libër. Ndërsa Bella ishte bërë zëvendëse e Edit.
P.S. Disa zëra thonë që Bella kohët e fundit po fiton më shumë para duke parë filxhanë, sesa duke shitur korrent.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike anti-filxhan, pasi e pi kafen në gotë plastike...