TIRANË / VLONË / GJINOKASTËR – Disa e kanë parë në rrugën Bardhyl, apo në Myslym Shyri, në Tiranë. Të tjerë e kanë hasur diku andej nga Sheshi i Flamurit në Vlorë. Së fundmi, ka shahitë që bëjnë be e rrufe se kanë qenë aty, në Sokakun e të Marrëve, kur Beni ndiqte nja dy kanaçe Red Bull bosh, që rrokulliseshin tatëpjetë sokakut.
“Ndaloni more shejtanër,” u thërriste Beni kanaçeve, “na more djalë, dilu para atyre të flamosurave, se më ikën”. Por edhe kur e ngre zërin, e bën ngeshëm, qejfpaprishur, duke buzëqeshur. Tek e fundit, kanaçe do të ketë gjithmonë dhe gjithsesi, ai bukën e gojës do ta nxjerrë.
Kështu e njohin të gjithë, Beni i Kanaçeve. Ai mbledh të gjitha llojet e llamarinave të aluminit që dikur kishin pije brenda, i shtyp me këmbë dhe i hedh në thes. Në fund të ditës, i çon tek pika e grumbullimit dhe me paratë që merr, blen pak bukë, djathë të lirë dhe ndonjë domate e konservë sardelesh. Sa herë merr atë pak asistencë, e tepron duke blerë cigare të hapura, por rakinë nuk e vë në gojë.
***
Në përgjithësi njerëzit janë indiferentë, por ndokush edhe mund të jetë ndalur një çast duke pyetur, si ka mundësi që një mesoburrë - megjithëse i veshur keq - në kulmin e energjive dhe me një fizik të zhdërvjellët prej tigri, t’i ketë kthyer shpinën jetës moderne dhe të mjaftohet me një jetë në kufijtë e ekzistencës?
Pyetja do të merrte një përgjigje intriguese. Sepse Beni i kanaceve nuk ka qenë gjithmonë kështu. Dikur ai ka qenë në qendër të vëmendjes publike, i angazhuar politikisht dhe shpesh dilte edhe në televizor, duke u bërë thirrje anëtarëve të partisë të zbatonin me rigorozitet vijën e masave.
Duke shfletuar shtypin e kohës, Patronazhisti, edhe për shkak të zanatit, ka zbuluar se Beni kishte një numër telefoni bashkë me një kompani telefonike; kishte një kartë identiteti bashkë me qindra mijëra karta të tjera socialistësh, demokratësh dhe paparti; një adresë shtëpie bashkë me nja njëzet shtëpi të tjera; një numër llogarie bankare bashkë me bankë; madje në rubrikën patronazhiste të pikave të dobëta, figuron edhe një kredi e pashlyer si dhe dy kushërira të pamartuara.
Në faqen 4 të gazetës Tomorri me lajme të reja, rezulton madje se Beni njëherë e një kohë kishte dhe një ofiq shumë të lartë në qeveri dhe e kishte grurë me udhëheqësin e dashur. Ndërtonin bashkë shtëpitë që kishin prishur po bashkë, thurrnin e shthurrnin plane, prisnin e përcillnin të huaj të rëndësishëm, bënin edhe rrugë jashtë shtetit.
Por duket se diku buka u thye, dhe miqësia u prish. Udhëheqësi një ditë thirri një plenum urgjent dhe kërkoi dënimin e Benit. Këtij nuk i bëri syri tërr. Siç njofton gazeta Bashkimi i Kombit, Beni iu përgjigj flakë për flakë: “Edhe po më dënuat, partia ime më dënon!”
***
Ditët e para, Tirana, Vlona dhe Gjinokastra zienin nga teoritë se Benin do ta rrasnin brenda. Në fund, partia vendosi që ta rrasnin jashtë. E internuan në punë dytësore e tretësore, e lanë deputet të thjeshtë pa pikë peshe, kolegët që deri dje i vareshin në qafë, as që i flisnin me gojë. I vunë dhe një patronazhist nga pas, që e ndiqte kudo që shkonte: Në vilën jashtë Tirane, në Dhërmi, në banesat në qendër të kryeqytetit, në shtëpinë e Lalëzit, në duplex-in e Londrës, në Qipro, Singapor, gjithandej.
Nga ana tjetër, thashethemet u shtuan. Zërat thoshin se Benin e përzunë jo se udhëheqësit befasisht i doli nga qejfi si tip, - siç i ka ndodhur me shumë të tjerë që për gjashtë muaj i ngrinte në qiell, e pastaj befas i shkarkonte pa asnjë shpjegim – por sepse Beni kishte kryer akte anti-parti duke u takuar dhe pëshpëshur me fraksionistin e cfurkologun me damkë I.M.. Madje në plenumin famëkeq vetë udhëheqësi e paskësh pyetur duke tundur një zinxhir në dorë: “Po në filan datë, ç’doje në makinën që u përplas rrugës për në Maqedoninë titiste?”
Dhe atë çast gjithë plenumi iu hodh në grykë. Njëri e akuzoi se kishte folur keq në autobus, tjetri se ishte treguar liberal, një i tretë se e kishte parë duke hedhur tutje me inat librin e udhëheqësit “Kurbatka”. Kulmi ishte kur plenumsja e dalluar Spirulla Lizopali bërtiti: “Skëndërbeut tonë t’i marrësh pleshtat, morrat, çimkat, këpushat…”. Ishte vetë Skënderbeu që i bëri shenjë me dorë Spirullës të pushonte, i alarmuar se mos njerëzia do kujtonin se ai lahej një herë në vit dhe vërtet i kishte të gjitha këto insekte.
***
Kështu ndodhi që Beni i partisë u bë Beni i kanaçeve. Vendosi të harrohej, që ta harronin. Zërat thonë se tani është i lumtur me këtë aktivitet të dobishëm riciklues, që i fut dhe ndonjë lek në xhep. Për të ndërruar mjedis, herë pas here shkon në ndonjë derbi futbolli në Milano apo Madrid, dhe në kthim eglendiset me ndonjë transaksion në Londër, Gllasgou apo Mançester. Pastaj rifillon punën: Merr Rejnxh Roverin, e parkon në ndonjë cep dhe nis mbledhjen e kanaçeve. I tha njëherë dikujt:
“Nuk ka si jeta e thjeshtë, dëgjo Benin ti. Politika e madhe, pasuritë, hijenat, tigrat, janë të gjitha iluzione… Thua do na e ngrejnë ndonjë çikë asistencën sivjet këta hajdutët, apo mashtrojnë?”…
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro-riciklimit… të lëndëve të para, jo të ofiqarëve