TIRANË – Mjegull, shi, ftohtë, lagështirë dhe trishtim në Tiranë dhe gjithë Shqipërinë. Ky nëntor e gjeti vendin të mbështjellë nga një tis mërzie dhe melankolie, që më kot janë përpjekur ta shkundin disa aktivitete të shpëlara.
Shqiptaro-amerikanë që hidhen e përdridhen në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, shqiptarë të trojeve që tundin flamurin kombëtar për nja dy orë dhe pastaj ja fusin me makarona me fruta deti në Durrës, për të mbytur ngashërimin që u zë fytin; kështu e gjeti vendin dopio-festa e 28-29 Nëntorit, përkatësisht Dita e Flamurit dhe ajo e Çlirimit të atdheut.
Vizitorët ishin të shumtë, por të kujtonin krushqit e ngrirë të Kadaresë. Mjaft prej tyre, pohuan në konfidencë për Patronazhistin se pas tridhjetë e kusur vjetësh, shpresonin se ky nëntor do ta gjente atmosferën më të ndezur, politikën më të bashkuar, njerëzit më të gëzuar.
Por nuk qe e thënë. Kësaj rradhe politika qe e ndarë, jo për faj të vet, por të SPAK-ut.
***
Lilo Çepani megjithatë e dha mesazhin e tij nga burgu.
“U jemi borxhlinj të rinjve e të rejave që dhanë jetën për lirinë e atdheut,” shkroi Lilua, “ndaj të rinjtë e sotëm duhet të marrin shembull dhe të ngrihen kundër mafies sorosiane. Jo si kushërinjtë dhe nipat e Mari-Antuaneta Testagrandes, ish bashkëshortes sime, që i futa në punë të mira dhe pinin raki Skrapari pas shpinës sime”.
Lilua deklaroi se SPAK-u e futi në burg, për të mos festuar zetetet-zetenënd nëntorin siç i ka hije një presidenti partie.
“Vetëm Thodhori Blushi, murator nga Kolonja, nuk më ka tradhëtuar. E mo, e mbani mend Blushin, që thërriste nëpër fshat, kush ka çati për të ndërruar?” shtoi Lilua.
Në vijim, ai vlerësoi me notën dhjetë me yll Thodhoriun, që shkurt i thërrasin Tedi, për hypjen spektakolare në pothuajse-tankun e policisë që hidhte ujë mbi protestuesit.
“Dënoj me forcë aktin banditesk të fotografëve të mediave gjatë protestës, që ato dhjetë sekonda që Blushi u ngjit në ujë-hedhës, askush nuk i shkrepi një resme të hajrit që të mbetej në histori si Vojo Kushi 2.0,” deklaroi Lilua.
Ai i ftoi mediat që të kenë mendjen herës tjetër, kur Thodhoriu t’i vërë gjoksin tankut të bashkisë si Selam Musai, apo kur të nxjerrë pistoletën me ujë në mes të sheshit, si Avni Rrustemi.
Patronazhisti mëson se Blushi është dakord me të gjitha propozimet e Lilos, me përjashtim të njërit:
“I bëj të gjitha rolet, shef”, i paska thënë ai Lilos, “vetëm nusen dhe shtetrrethimin, dhe vajzat me kordele të kuqe nuk i bëj dot. S’ka lezet tani të dal me fustan”.
***
Doktori u lirua nga arresti shtëpiak vetëm dy ditë para festave. Mbase SPAK-u kishte qëllimin djallëzor që ai t’u bashkohej ceremonive zyrtare, por arriti efektin e kundërt. “Nga inati, unë nuk vete,” deklaroi Doktori.
Dhe për këtë, me origjinalitetin e tij të pazëvendësueshëm gjeti një arsye të veçantë që demokratët të festonin me hare zetetet-zetenënd nëntorin.
“Data 28 është Dita e Flamurit dhe Dita e Çlirimit,” tha Doktori para mbështetësve, “por le t’i lemë formalitetet se ne jemi tanët. Më saktë, është dita e Mulit dhe e Çimit”, dhe tregoi me dorë nga Muli dhe Çim Peka, të cilët u skuqën nga lëvdatat e pashpresuara, “Mul dhe Çim, për kontributin që keni dhënë, çohuni të prisni tortën e lirisë.”
Dhe nga krahu tjetër i foli të shoqes: “Liri, sille tortën!”
Liria erdhi me një tortë madhështore prej boronicash, dhe një bisturi të vjetër që i kishte mbetur Doktorit që nga 1992-shi, për të prerë copat. “Muli dhe Çimi, prisni copa të vogla, se pjesën tjetër do ta coj në shpi, kemi ca mysafirë nga Pozharevaci sonte”, u tha ajo.
***
I Gjati ishte po ashtu i trishtuar. Ky nëntor e gjeti melankolik. Vërtet ishte marrë vesh me shtabin aleat në Bari që Doktorin ta lironin para festave, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme t’i fitonte pa kundërshtarin në arrest. Po ja donte xhani që mbështetësit e Doktorit të rrinin edhe ca ditë në pikë të shiut poshtë dritares, se kishte parë parashikimin e motit.
Pastaj e kapi një mërzi, sepse shihte që po i rralloheshin njerëzit rreth e rrotull. Ca në burg, ca në arrati. Vinte vërdallë nëpër projekte të pafilluara ndërtimi me Bella Balluken dhe Federika Mogerinin. Kjo e fundit, sepse i dukej si ato gratë italiane që kishin mbetur në Shqipëri pas luftës dhe s’u bëhej të ktheheshin.
Shfryu me vete, “dio mio, po durova dhe një muaj në këtë provincë, shpëtova për tërë jetën”, dhe filloi të këndojë sottovoce këngën e famshme Triste Domenica, për të cilën SPAK-u kishte arrestuar me dhjetra djem e vajza:
Piove, fa freddo, piu solo mi sentoooo….
Cosiii, nell’silenzio di questa Domenicaaa
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që beson se Dita e Mulit dhe ajo e Çimit duhen festuar veçmas