NOVA JORK - Ishte një javë e lodhshme. Mezi gjente kohë të hante një çap bukë, sepse në çdo cep të korridoreve të OKB-së i zinin pritë. Këtej e tërhiqte për mënge Xho Bajdeni, andej i çonte sms Makroni, ndërsa Sholci, si démodé që ishte, hala i kërkonte takim me faks. I kërkonin një mendje për çmimin e grurit, akcizën e naftës, furnizimet e reja me armë për Ukrainën, e turli lloj krizash të tjera. Bile gjermani e hoqi mënjanë nja dy minuta dhe i përshpëriti: “Ajo partia e infermierëve që dërgove herën e kaluar qëlloi shumë e mirë, vlla. A na dërgon dhe dy porosi të tjera si ajo? Po deshe maskoji brenda bananeve”.
Kulmi ishte kur kreu i OKB-së Andon Guterres iu lut Xhaçkës t’i linte një takim me Edin. Pas shumë mundimesh, u takuan. Sapo u gjendën bashkë, ai i tha troç:
“Zoti Edi, nuk ja dal dot vetëm! Në paç perëndi, rri dhe ca ditë të më japësh një dorë për punët e botës, se ti Shqipërinë dhe Ballkanin e vë në ujdi për gjys ore”.
Me një lodhje që i lexohej në fytyrë, në mimikë, në qëndrim, në gjuhën e trupit, Edi shfryu i dëshpëruar:
“Mirë mor Andon mirë! Po sa do vazhdojmë kështu? Do u thuash atyre të tjerëve të bëjnë ndonjë lek punë, apo do tallin bithën? Domethënë kur të mos jem më unë, kjo botë do shkuaka për lesh, kështu?”
Andoni iu përgjigj zë mekur: “Lëre mos ma kujto. As që dua ta mendoj!”
***
Lideri global me vendlindje rastësore në Tiranë, Shqipëri, mori rrugën e kthimit me kokën që i ziente nga mendimet. Lad Putini nuk po bindej të dorëzohej dhe të pranonte humbjen. Edi i kishte propozuar mes kanalesh të fshehta, se po të hiqte dorë nga pushteti dhe t’i hapte rrugë demokracisë në Rusi, ai do t’i dhuronte një vilë dykatëshe në Dhërmi, po Ladi si Ladi. Koka shkëmb.
Pastaj ishte dhe kjo puna e zgjedhjeve në Bosnje. Ua tha copë Makronit dhe Sholcit në Nova Jork: “Merruni pak me Bosnjën, mos të kemi llafe. Po shkëlyhem njëqind copash dhe ju as që e vini ujët në zjarr!” Por nuk ua kishte besën pisave.
Në Europë prapë e prisnin njëqind punë. Në Greqi Miçotaqi i kërkonte të uleshin për një kafe, por Edi nuk ja zgjati: “Po të dërgoj Taulantin të merreni vesh. Unë nuk kam kohë”. Kryeministrave të tjerë u dërgoi ose Spirodhallën, ose Balluken.
Pastaj kishte dhe hallin e Shqipërisë. Njëri prej ministrave, Çuçja i brendshëm, i kishte çuar një videomesazh: “Uee plako, nuk ke për ta besu: Kan ndërtu një pallat komplet jashtë projektit mu në mes të Myslim Shyrit! E tmerrshme plako në ça vendi idiot jetojmë!”
***
Nuk kishte njëqind duar. Dhe dita e tij ishte 24 orëshe, si e gjithë të tjerëve. I dha karar vetes të mblidhte mendjen dhe të seleksiononte se cilave kriza duhej t’u jepte zgjidhje, se ndryshe do çmendej.
Vendosi të merrej me Këshillin e Europës dhe raportin e Dik Martit për Kosovën. “Mirë që u kujtova,” tha me vete, “se ja kisha premtu Hashimit të shkretë. Po dhe ai, ça katrani me bojë: Me duart e veta miratoi gjykatën që do ta burgoste atë vetë. Ka qenë çik mazokist Hashimi që i vogël…”.
Shkoi në Asamblenë Parlamentare të Europës dhe u bëri namin atyre qurrashëve. Çfarë s’u tha.
Si s’ju vjen zor eee, si mund të miratoni një raport të mbushur me sajesa eee, biri i botës ka ra në kokërr të burgut tu luftu për atdheun e vet eee… pastaj ka dhe djemtë pa martuar.
Deputetët e Asamblesë s’dinin ku të futeshin nga turpi. Madje për një moment, Edit i erdhi të nxirrte këpucën nr 45 dhe ta përplaste mbi tavolinë, po çastin e fundit u kujtua që këtë e kishte bërë dhe shoku Hrushov. Pa ç’pa, vendosi të përdorte batutën e stërvjetër: Unë jam 1.98 i gjatë, por vij nga një vend i vogël, i munduar nga historia, po ne jemi krenarë, e tërci e vërci.
***
Fjalimi i Edit pati jehonë shumë në madhe. Gazetat kryesore të Bangladeshit dhe Nepalit ishin mbushur me fotot e tij. Por ndërsa po bëhej gati të kthehej në kotecin shqiptar për të mbledhur kockat, i ra telefoni. Kur pa numrin, Edi u zverdh.
Ishte Baba Rexhepi. I kërkoi të vinte urgjent në shpi, në Stamboll.
“Si je, Baba Rexhep?”, e pyeti me gjysëm zëri.
“Mirë bir. Po eja eja, ulu. Mos më rri aty në cep. Isha në mbledhje me prindër, qëparë u ktheva. Po ç’ishin ato që më thanë për ty?”
Edi, që ja kishte mësuar stilin, u hodh në kundërsulm:
“Po jo o Baba Rexhep, ata e kishin vetë fajin! Ata s’punojnë fare, janë kokrrat e dembelave. Unë e ngrita pak zërin, po nuk desha. Për kokën tënde, nuk desha. Jam lodhur, nuk e shtyj dot kështu. Pse, s’ka të tjerë liderë global globi? Ta dija kështu, do kisha qëndruar thjesht një lider europian si gjithë të tjerët…”
Baba Rexhepi u zbut. E Kishte pikë të dobët mistrecin.
“Mirë mirë,” i tha, “shko të lahesh e të hash ndonjë grusht pilaf. Flasim pastaj…”
Vini Re / Patronazhisti është rubrikë satirike lokale