TIRANË - Klasa e gjyqtarëve, prokurorëve dhe punonjësve të tjerë të drejtësisë shqiptare janë shtangur ditën e mërkurë, kur dëgjuan nga goja e Ambasadores amerikane në Tiranë Juri Kim, thirrjen e paprecedentë që të mos marrin më para.
“Ju gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë, keni bërë korrupsion sa jeni shqepur, keni shitur e blerë dosje, keni bërë pasuri, keni siguruar veten, fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve, tani boll mo”, deklaroi Kim në konferencën e Gjykatës Kushtetuese.
Njerëzit e drejtësisë mbetën të shastisur. Disa gjykatës të apeleve nisën të pëshpërisin dhe të pyesin njëri-tjetrin: “Si tha mo, si tha se s’e dëgjova mirë? Mos merrni më para? Është në vete kjo?”
Pas konferencës, njerëzit dolën si të mpirë. Reforma në drejtësi ishte vënë në dyshim dhe goditja u erdhi andej nga nuk e prisnin; nga Amerika.
***
I pari që kërkoi të kuptonte diçka më shumë, ishte gjykatësi Fitim Xhepi. Duke qenë mik me prokurorin Xhambaz Skuthi, ata u ulën në kafe dhe nisën të bisedonin të shqetësuar.
“E para njëherë, unë nuk kuptova nocionin e kërkesës së zonjës ambasadore. E kam fjalën, ja ta shqyrtojmë çështjen në themel: Si mund të mos marrësh para? Si funksionon kjo, more gjë vesh ti?”, pyeti Fitim Xhepi.
Xhambazi u mendua pak, pastaj foli: “Ndoshta e ka thënë për keshin, lekun letër. Se ka marrë dhe ngjyrim negative si shprehje; leku letër. Por besoj se kjo nuk përfshin, për shembull, apartamentin. Ose një truall, apo një makinë. Ajo nuk tha: Tani e tutje nuk do merrni më apartamente, apo jo?”
Tryezës në vijim iu bashkuan edhe kolegët e tyre Skifter Zgrapsi dhe Llogarie Leku. Doli se edhe ata ishin në dilemë se çfarë duhet të bënin këtej e tutje.
“Shpresoj të jetë një lajthitje e momentit,” meditoi prokurorja Llogarie Leku, “përndryshe themelet e reformës në drejtësi, që po e bëjmë me thonj e sakrifica, do hidhen në erë. Ja, unë kisha dy dosje për të shqyrtuar sot, po vetëm se më ngriu gjakun Juri, nuk më bëhej për punë. Dhe thonë pastaj pse mblidhen dosjet kapicë…”.
Skifter Zgrapsi, relator në institucionet e vetingut, ishte skeptik:
“Nuk besoj se qe lajthitje. E kam dëgjuar edhe nga ata vëzhguesit e huaj atje tek ne. Na shurdhuan veshët, mos merrni para, mos merrni dhurata! I thashë njërit: Ore zotëri, si të mos marrim para, do vëmë drejtësi në këtë vend apo do vazhdojmë me gjykatësit e Saliut? Si mund t’i seleksionojmë ndryshe gjykatësit e rinj? Më pa si i fandaksur”.
Të pranishmit rrinin si të topitur. U dhimbsej që reforma në drejtësi të katandisej në këtë derexhe. Pinë në heshtje një shishe uiski 120 vjeçar dhe përtypën gjithë siklet ca karkaleca deti.
Kështu i gjeti shefi i policisë Hasho Shashaj.
“Po hë mo ajka e reformës, pse rrini kaq të mërzitur?”, bëri shaka ai. “Lëre lëre,” iu përgjigjën, “do na fusë në qorrsokak ajo amerikania, na kërkoi të mos marrim më para”.
Hashos i ngriu buzëqeshja. U bë nervoz.
“Epo kjo pikë e zezë,” psherëtiu, “prite tani kur të na mbijë ndonjë ditë në ndonjë konferencë policie dhe të na thotë të mos merremi më me kokainë! Ky vend ka marrë fund!”
Vini Re / Patronazhisti është rubrikë satirike reformatore