Kënga “Pyes Lotin”, e interpertuar nga Elsa Lila dhe Capital T në Festivalin e 60-të të Këngës në RTSh është hequr nga YouTube.
Shkak është bërë revolta e kompozitorit Valentin Veizin, i cili ka deklaruar se nuk ishte marrë leje për interpretimin e asaj kënge dhe se nuk donte që t'i bëhej kënga pis.
“Pyes Lotin” me autor Veizin dhe tekst të poetes Enrieta Sina, erdhi në një version komplet ndryshe në Festivalin e Këngës në RTSh.
Kompozitori Veizi në një intervistë u shpreh se nuk ka folur me Elsa Lilën, ndërkohë që ka ndjerë dhimbje kur ka parë këngën e tij të deformuar.
“Unë kam thënë mos ma bëni pis, në fakt është më tepër, është dhimbje. Më mirë të mos e kisha dëgjuar në fakt, aq keq jam ndjerë kur kam dëgjuar atë këngë në atë variant që u soll”, u shpreh ai.
Pas kësaj ankese të bërë nga Veizi, YouTube mesa duket i ka dhënë të drejtë këtij të fundit duke fshirë këngën e versionit të ri.