Në botën shpesh të trazuar të showbiz-it, ku konkurrenca, rivaliteti dhe krahasimet janë të shumta, shfaqet një shembull i modestisë dhe unitetit. Jori Delli së fundmi e gjeti veten në qendër të rrjeteve sociale mes spekulimeve mediatike se banorja e re e “Big Brother VIP”, Heidi Baci, i kishte kopjuar veshjen. Në vend që t'i nënshtrohej negativitetit, Jori u përgjigj duke shfaqur një mbështetje të jashtëzakonshme për Heidin dhe duke bërë po ashtu rolin e një ‘avokateje’ të fuqishme si për vajzat ashtu edhe për veten.
Heidi u akuzua nga disa media e komentues se kishte kopjuar në natën e parë të reality-showt një fustani të veshur më parë nga Jori, në premierën e filmit ‘Në kuadër të dashurisë’. Në vend që të lejonte që kjo narrativë të përshkallëzohej, Jori zgjodhi një rrugë më pak të përshkuar në botën e të famshmëve – atë të mbështetjes, modestisë dhe fuqizimit.
Jori iu drejtua platformave të saj të mediave sociale për të mbrojtur Heidin, duke shkruar: “Pse të gjithë më shkruani se më kopjoi? Nuk e kam shpikur unë këtë fustanin. Vishuni si të doni e mos e vrisni (mendjen) fare. Gjithsesi më pëlqen shumë Heidi dhe si i rri fustani.”

Përgjigjen e Jorit dua ta shtri përtej rastit specifik, duke shkuar te një çështje më e gjerë që ka të bëjë me mënyrën se si gratë dhe vajzat në përgjithësi, dhe në showbiz në veçanti, shpesh vihen përballë njëra-tjetrës. Jori më kujtoi sa bukur është kur mbrojmë dikë që mbi të gjitha nuk ka të drejtë fjale, sa bukur është kur mbështesim sukseset e njëra-tjetrës dhe sa bukur është kur sfidojmë narrativat që përjetëson rivalitetin mes grave.
Duke i dalë në krah Heidit, Jori na tregon se është kaq e thjeshtë të ndryshosh sjelljet dhe perceptimet e turmës drejt promovimit të një kulture vlerësimi për njëri-tjetrin, duke na kujtuar se përballë përçarjes, mund të triumfojnë mbështetja, mirëkuptimi dhe bashkimi. Ndaj, pse mos ta përkrahim këtë model të një personi të famshëm që përdor emrin e saj për të krijuar një ndikim pozitiv, veçanërisht në avokimin për mbështetjen e vajzave, duke dëshmuar se, në një botë shpesh të mbushur me sfida, dashuria, uniteti dhe mbështetja mund të jenë katalizatorë të fuqishëm për ndryshime positive?
Në një epokë ku statusi i të famshmit shpesh vjen dorë për dore me pompozitetin dhe teprimin, shfaqet një shembull i ndritshëm i një njeriu të famshëm që mbetet me këmbë në tokë dhe modest mes shkëlqimit dhe magjepsjes.
Ja një precedent për mënyrën sesi të famshmit mund t'i trajtojnë polemikat me pjekuri. Polemika të tilla dominojnë titujt e mediave, por qasja e saj e matur shërben si një kujtesë se në një industri konkurruese, bashkëpunimi dhe mbështetja mund të jenë mjete të fuqishme për suksesin personal dhe kolektiv.
Pse mos të frymëzojmë një ndryshim kulturor brenda industrisë së të famshmëve, e jo vetëm. Duke zgjedhur unitetin mbi përçarjen, e duke sfiduar narrativën mbizotëruese që shpesh vë gratë kundër njëra-tjetrës për hir të sensacionalizmit? A ka ardhur koha për një rivlerësim të mënyrës sesi vajzat dhe gratë portretizohen dhe perceptohen në media, duke hapur rrugën për një kulturë më mbështetëse dhe fuqizuese? Pse të mos bëhemi sa më shumë njerëz që kontribuojnë në nxitjen e një bote ku vajzat mund të lulëzojnë, të mbështesin njëra-tjetrën dhe të jenë arkitektet e fateve të tyre?