Firence ndalon Airbnb-të e reja në qendrën e vet historike

3 October 2023, 21:22Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Firence ndalon Airbnb-të e reja në qendrën e vet historike
Firence

Një nga destinacionet turistike më të njohura të Italisë, Firence, ka ndaluar lejimet e reja afatshkurtëra të banimit në platforma të tilla si Airbnb në qendrën e vet historike.

Kjo shënon edhe lëvizjen më të fundit nga autoritete vendore në përpjekje për të liruar shtëpi për banorët vendas.

Rregullat, të miratuara nga qyteti toskan, ofrojnë gjithashtu tre vjet lehtësira tatimore për pronarët e qirave ekzistuese afatshkurtra nëse kalojnë në qiratë e zakonshme.

Kryetari i bashkisë së Firences, Dario Nardella, ka thënë se qyteti kishte vendosur të vepronte në nivel lokal, sepse planet e qeverisë për të rregulluar sektorin kishin qenë zhgënjyese.

“Në vitin 2016, ne kishim më pak se 6 mijë apartamente të listuara në Airbnb; sot kemi gati 14 mijë e 378”, ka treguar ai.

Po ashtu ai ka theksuar se gjatë asaj kohe kostoja mesatare e qirave të zakonshme mujore të banesave ishte rritur me 42 për qind.

Sipas Nardella, këtë vit çmimet janë rritur me 15.1 për qind.

“40 mijë fiorentinasit që jetojnë në qendër po ankohen se e gjetën veten, krejt papritur, duke jetuar në hotele apartamentesh”, ka shtuar ai.

Ngjashëm si në vendet e tjera evropiane, pagat e ulëta, mungesa e pronave, qiratë e pushimeve afatshkurtra dhe inflacioni i lartë kanë nxitur një krizë strehimi në Itali, me paga të ulëta dhe studentët të goditur veçanërisht rëndë.

Probleme të ngjashme ka edhe më larg, me New York-un që shtrëngon rregulloret për qiratë afatshkurtra.

Qeveria ndërkaq po punon për një projektligj që, sipas raportimeve të mediave, do të kërkonte një qëndrim minimal prej dy net në prona në qendrat historike të qyteteve dhe bashkitë me një densitet të lartë turistësh.

Çdo pronë rezidenciale e dhënë me qira për turistët do të kishte nevojë për një kod kombëtar identifikimi për të ndihmuar në gjurmimin dhe rregullimin e qirave.

Dhe ata që nuk e respektojnë këtë do të rrezikojnë një gjobë deri në 5 mijë euro.


Video